Zuzana Čaputová e fitoi rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale

0

Kandidatja pa përvojë në pozita zyrtare dhe me luftën kundër korrupsionit si premtim kryesor, Zuzana Čaputová, është shpallur fituese e rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Sllovaki. Në balotazh ajo do të përballet me kandidatin e partisë në pushtet, Maroš Šefčovič.

Pas numërimit të 99.4 për qind të votave, aktivistja e njohur për mbrojtje të mjedisit, Zuzana Čaputová, i ka fituar 40.5 për qind të votave dhe ka epërsi të lartë ndaj kandidatit të dytë, Maroš Šefčovič, i cili mori vetëm 18.7 për qind të votave. Këta dy kandidatë do të garojnë në rundin e dytë, i cili mbahet më 30 mars.

Sponzor

Kandidatja 45-vjeçare, e cila është përkrahëse e Bashkimit Evropian dhe bën pjesë në partinë joparlamentare “Sllovakia Progresiste”, do të dallohej shumë në skenën e liderëve evropianë, ku po rritet përkrahja për nacionalistët dhe populistët.

Pozita e presidentit në Sllovaki nuk përfshin kompetenca që lidhen me aktivitetin e përditshëm qeverisës, por presidenti/ja e ka të drejtën e vetos për përzgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve të lartë, të cilët kanë ndikim të drejtpërdrejtë në luftimin e korrupsionit.

“E kam parë dëshirën e madhe për ndryshim dhe reagimin e fuqishëm të publikut. Ne jemi në udhëkryqin mes humbjes dhe rikthimit të besimit të popullit, përfshirë çështjen e orientimit të politikës së jashtme të Sllovakisë”, ka thënë ajo, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

-Sponzor-