Vuk Jeremiq zbulon takimet dhe planet e fshehta të Thaçit dhe Vuçiqit

0

“Ne faktikisht gjendemi në fazën përfundimtare të bisedimeve, dhe në gjysmën e parë të vitit 2019 mund të pritet një ‘blickrig’ diplomatik-medior, në të cilin vetëm do të bëhet e ditur se për çka të dy palët janë marrë vesh”, ka thënë opozitari serb

Kryetari i Partisë popullore opozitare serbe, Vuk Jeremiq, ka thënë se kreun shtetëror të Serbisë flamuri i Kosovës në Notër Dam “nuk e godet fort” dhe se përfaqësuesi i Kosovës as që do të ftohej në ceremoninë e shënimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore sikur për këtë rast të mos ishte paraparë performanca e Aleksandar Vuçiqit e Hashim Thaçit.

Sponzor

“Sikur të mos kishte pasur takime të fshehta ndërmjet këtyre dyve në mars të këtij viti, në të cilat kanë filluar bisedimet për ‘përkufizim; dhe ku ka lindur ideja mbi paraqitjen e përbashkët në Paris më 11 nëntor, përfaqësuesi i Kosovës nuk do të merrte pjesë në atë ceremoni”, ka thënë Jeremiq në emisionin “Zumiranje”, transmeton në portalin në internet Radiotelevizioni i Vojvodinës.

Siç e ka transmetuar Partia popullore, Jeremiq mendon se Serbia ngjarjet e mëdha, si kjo e Parisit, i shfrytëzon në mënyrë të gabuar dhe ekziston një problem esencial i të kuptuarit të diplomacisë të regjimit aktual, transmeton Gazetametro.net.

“Qëllimi i pranisë së kreut të shtetit në një tubim diplomatik është që ai të paraqitet në mënyrë atraktive në tabloidët shtetërorë e në ‘Pink’”, ka thënë Jeremiq dhe ka shtuar se aktivitetet diplomatike po shndërrohen në shfaqje vulgare.

Jeremiq mendon se deklarata e Vuçiqit se politika e tij e korrigjimit të kufijve ka përjetuar dështim, është plotësisht e pavërtetë.

“Realiteti është se sot jemi në një fazë të avancuar të bisedimeve mbi ‘përkufizimin’, përkatësisht mbi korrigjimin e linjës administrative të përkufizimit të Kosovës dhe pjesës tjetër të Serbisë, e cila me marrëveshjen ligjërisht të obligueshme do të bëhej kufi shtetëror”, ka thënë Jeremiq dhe ka shtuar se kjo nënkupton edhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Ne faktikisht gjendemi në fazën përfundimtare të bisedimeve, dhe në gjysmën e parë të vitit 2019 mund të pritet një ‘blickrig’ diplomatik-medior, në të cilin vetëm do të bëhet e ditur se për çka të dy palët janë marrë vesh”, ka thënë Jeremiq, i cili mendon se pas kësaj do të pasojë deklarata e kuvendit, referendumi apo zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vuçiqi do të kërkonte mbështetje për vendimin e tij

-Sponzor-