Turqia liron papritur priftin amerikan

0

Pas një konflikti të ashpër me SHBA, Turqia liroi priftin nga SHBA Andrew Brunson, i cili mbahet që prej dy vjetësh i arrestuar në Turqi. Një gjykatë e qytetit të Izmirit urdhëroi të premten heqjen e urdhërit të arrestit shtëpiak, bëri të ditur një reporter i agjencisë gjermane të lajmeve dpa, i pranishëm në sallë. Edhe ndalimi për t’u larguar nga Turqia për pastorin u hoq.
Brunsoni tani mund të largohet në SHBA. Dënimin që u shqiptua njëkohësisht me tre vjet, një muaj dhe 15 ditë ai nuk duhet ta vuajë. Veç kësaj, sipas medieve turke, atij i llogaritet koha që ka kaluar në arrest.

Avokati i Brunsonit Ismail Cem Halavurt i tha dpa se ai pret që mandanti i tij të largohet nga Turqia që mbrëmjen e sotme. Me këtë është bërë një hap i madh për shtensionimin e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Ankarasë.

Për Turqinë, ky vendim është njëkohësisht një zgjidhje që i ruan fytyrën dhe praktike për një konflikt, i cili e futi vendin në një krizë të rëndë monetare. Ky vendim pritet ta rikthejë pjesërisht besimin e investorëve ndërkombëtare të tronditur rëndë dhe të tregjeve dhe të ndihmojë rimëkëmbjen e ekonomisë së goditur rëndë të Turqisë. Pas vendimit të gjyqit, monedha turke Lira reagoi menjëherë duke e shtuar vlerën.

Në seancën gjyqësore, të ndjekur me vëmendje në botë, u zhvlerësuan deklaratat e dëshmitarëve kryesorë. Siç bëri të ditur gazeta “Hyrriet” të premten, tre dëshmitarë i tërhoqën deklaratat. Një dëshmitar për shembull e tërhoqi pohimin se një anëtar sirian i komunitetit të kishës së Brunsonit pati ndërtuar bomba për sulme terroriste.

Ministri i Jashtëm i SHBA, Mike Pompeo e këshilloi me këmbëngulje natën duke gdhirë e enjtja Turqinë, që ta dërgojë në shtëpi Brunsonin. Televizioni amerikan NBC njoftoi një ditë para procesit gjyqësor për një marrëveshje të fshehtë për lirimin e pastorit – por Uashingtoni nuk e konfirmoi këtë.

50 vjeçari Brunson jeton prej 20 vjetësh në Turqi. Ai ishte atje prift i një kishe evangjeliste në Izmir, kur e arrestuan pak muaj pas përpjekjes për puç në Turqi, në vitin 2016. Në dhjetor të të njëjtit vit atë e dërguan në paraburgim. Në fund të korrikut e kaluan në arrest shtëpiak, për shkak të problemeve shëndetësore. Brunsonin e akuzonin për mbështetje të PKK dhe të lëvizjes së predikuesit që jeton në SHBA, Fetullah Gylen.