S’ka post për Astrit Haraqinë në Qeveri

0

Në vazhdën e emërimeve në pozita të koordinatorit, post i ri i instaluar nga Qeveria aktuale, u përfol se një emërim në një pozitë të padëgjuar më parë do të bëhej për ish-ministrin Astrit Haraqija, raporton Gazeta Express.

Derisa dështoi të marrë pozitën e drejtorit në ATK-ja, Haraqija u përfol se do të emërohet nga Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj në pozitën e koordinatorit për Trashëgiminë e Ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Sponzor

Ish-ministri i Kulturës, sipas disa raportimeve që u bënë dje në media, do të zyrtarizohej udhëheqës në këtë pozitë, në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.

Mirëpo, këta të fundit në një përgjigjje për Gazetën Express kanë mohuar lajmet, madje duke i cilësuar si të pavërteta.

“Nuk ka asgjë të vërtetë në këtë drejtim. Është lajm i pavërtetë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Ish-ministri që ka aktakuzë të ngritur për krim të organizuar në rastin e lëshimit të vizave nga Ambasada Italiane në Prishtinë, pak muaj më parë kishte konkurruar në postin e drejtorit të ATK-së.

Se a ka marrë ndonjë ofertë nga Haradinaj, ende nuk dihet, pasi që Haraqija që dy ditë nuk ka qenë i qasshëm përmes telefonit.

Deri më tani ai ka qenë ministër, zëvendësministër e kryetar i Komunës së Gjakovës.

Kujtojmë që edhe djali i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, mban pozitën e koordinatorit për ndryshime klimatike dhe çështje të ambientit. /GazetaExpress

-Sponzor-