SI DUKEN EMISIONET TELEVIZIVE FETARE GJATË RAMAZANIT

0

Milazim KRASNIQI

Hapësira televizive që vihet në dispozicion të emisioneve fetare islame gjatë muajit të Ramazanit është solide, kur të krahasohet me muajt e tjerë të vitit, kur këso emisionesh në medie ka fare pak. Prezenca e emisioneve të kësaj natyre është më e dukshme veçmas në transmetuesin publik, Radiotelevizionin e Kosovës, me dy emisione të njëpasnjëshme. Ndonëse terminet kur transmetohen këto emisione, natën vonë, sërish provojnë një qëndrim jo korrekt, sepse kështu numri më i madh i publikut potencial përjashtohet nga mundësia e përcjelljes së tyre. Mbeten në dispozicion të këtyre termineve vetëm ata më kurreshtarët dhe më qëndrestarët.

Sponzor

Në televizionin kabllovik TV Klan, seria njëmujore e intervistave të “Nektar” e zgjeron hapësirën televizive dedikuar tematikës islame. Duhet theksuar këtu se edhe disa nga mediet televizive lokale (TV Besa, TV Mitrovica, First Chanel e ndonjë tjetër ) kanë numër të konsiderueshëm emisionesh me tematikë fetare gjatë këtij muaji. Pra, pavarësisht se hapësira nuk është e shpërndarë në mënyrë proporcionale e adekuate në të gjitha mediet mejnstrim (transmetuesit me frekuencë nacionale RTV 21 dhe KTV nuk kanë fare këso emisionesh) dhe nuk është në termine më të përshtatshme, mund të thuhet se hapësira që është në dispozicion gjatë muajit të Ramazanit, është mjaft solide.

Pa i shuar përpjekjet e bashkëpnimit të palëve të interesuara që kjo hapësirë të zgjerohet edhe në mediet e tjera dhe në termine më të përshtatshme, tash për tash punë urgjente është të jipet përgjigje se a shfrytëzohet në mënyrën e duhur dhe efikase hapësira që është në dispozicion? Cka duhet të bëhet që të ngriten standardet e këtyre emisionive dhe të këtij komunikimi?

Këtu do të skicohen disa probleme lidhur me këto emisione, konceptimi i emisioneve, temat që trajtohen dhe nivelin e komunikimit. E para, shumica e emisioneve lënë përshtypjen se nuk janë fare të konceptuara, të strukturuara e të organizuara në atë mënyrë që të transmetojnë në mënyrë koherente njohuri, këshilla e mesazhe relevante, të dobishme e mbresëlënëse tek shikuesit. Më shumë duken si biseda spontane, të improvizuara, ndoshta edhe të kalkuluara sipas hatrit të njerëzve që bëhen protagonist të tyre. Kjo qasje automatikisht e zvogëlon cilësinë e intervistave dhe të këtyre emisioneve. Në emisione do të duhej të ftoheshin sa më shumë njerëz që kanë vërtet çfarë të thonë, që dinë ta thonë në mënyrën adekuate me mediumin e me publikun, e jo njerëz që duan të mbahen me çdo kusht në skenë ose që duan të promovohen, pa e pasur as nivelin minimal të diturisë për t’u promovuar si dijetarë. Kësisoj, në emisionin e sposorizuar nga BIK-u në RTK, zakonisht frekuentojnë më shumë drejtuesit e vetë bashkësisë dhe të afërt me ta. Emisioni e ka një standard minimal, por do të duhej shmangej përzgjedhja e ngushtuar e edhe ngurtësia e moderimit. Besoj se po të përfshiheshin mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët e FSI-së po edhe të universiteteve të ndryshme, do të arrihej një nivel më i lartë i komunikimit.

Ndërsa në emisionin “Nektar” larmia e pjesëmarrësve është më e madhe, por ajo larmi e paguan tagrin e disnivelit të pjesëmarrësve e rrjedhimisht të çorientimit të prishmërisë së audiencës. Fjala vjen, në një intervistë mund të shfaqet një figurë e njohur për publikun, në intervistën e radhës shfaqet në figurë anonime.

Sa u përket televizioneve lokale, në to bie në sy edhe më shumë spontaniteti, improvizimi dhe grupëzimi i pjesëmarrësve sipas prerefencave miqësore ose edhe të tendencave gjasme të shkollave. Por, në njërin prej tyre, në First Chanel ka një ekip djemsh ambiciozë, të cilët po se se do të tranjoheshin në komunikimin medial-televiziv, në të ardhmen mund të bëhen personazhe të rëndësishme të emisioneve me tematikë fetare islame.

I vetmi emision që mund të duket se ka një konceptim është ai i Ferdinand Samarxhit, i cili transmetohet në RTK. Ky emision ka njëfarë konceptimi, por menjëherë duhet të thuhet se e ka një konceptim problematik, për të mos thënë të mbrapshtë. Mbrapshtia e konceptimit të tij nuk ka të bëjë me aspektin organizativ, as me gjeografinë që përfshinë, as me protagonistët, po ekskluzivisht me drejtuesin e emisionit, Ferdinand Samarxhinë. Ky veteran i gazetarisë vërtet është rast për studim, se si manipulohet profesioni dhe i gazetarit dhe si tentohet të shfytyrohen ndjenjat fetare. Gazetari Samarxhi ka një kohë të gjatë që mbulon aktvitetet fetare në Shqipëri për të dyja fetë e të katër konfesionet fetare. Ndoshta edhe për këtë shkak, ai i ka të ngatërruara temat, idetë, terminologinë, figuracionin, intonacionin. Pothuajse nuk ka asnjë dallim nga rasti kur e interviston patriarkun rus Kiril, nga rasti kur e interviston një myfti. Samarxhi të gjitha i bën me një shikim të çuditur, me një entuziazëm të shtirur, me doza të larta patetizmi, me retorikë boshe, me të të njëjtat figura stilistike, me të njëjtat ngatërrime terminologjike! Këtu po i evokoj si ilustrim të kësaj që sapo u tha, vetëm disa nga absurditetet e ligjërimti të tij: ai e fillon emisionin, duke përshëndetur e glorifikuar flamurin kombëtar e flamurin e Kosovës! Pastaj lëshon breshëri shprehjesh të palogjikshme të tipit: “bota shpirtërore është në evoluim”, “ky universitet i dashurisë”, “muaji i shenjtë Ramazan në familjen e madhe evropiane”, “në këtë muaj të filozofisë së dashurisë”, “në qytetin e Tetovës, ku shqiptaria flet shumë”, “njeriu gjeneron një shkallë dashurie”, “ndryshimi rrënjësor i mendjes”, “njeriu duhet të madhërojë veten”, etj. Ma merr mendja se përveç mungesës së dijes së tij lidhur me fenë islame, kjo batërdi është e konceptuar në shërbim të relativizimit të temave, kuptimeve e të termave fetare islame, bile si një lloj “ekumenizmi” në favor të bektashizmit, pasi shprehjet e tilla më shumë kanë të bëjnë me njëfarë filozofie të bektashinjve. Ndoshta nuk është pa arsye as theksimi që bën Ferdinandi në çdo emision se kjo seri emisionesh është realizuar sipas idesë së babait të bektashijve, Edmon Brahimajt!

Ajo që nuk kam arritur ta kuptojë është se si bien në grackën e naivitetit të tij shumica absolute e mysafiërve të tij! Në pyetjet e tij mjaft të paqarta, konfuze e pothuajse jofetare, mysafirët e tij fillojnë të japin përgjigje, duke folur kodër mbas bregut, duke tentuar të “filozofojnë” e duke u bërë shpesh herë konfuz e joproduktiv, gati sa vetë nikoçiri i tyre. Nuk kam arritur ta kuptojë a u ka ndodhur kjo për shkak të mirësjelljes, paditurisë apo mungesës së përvojës në komunikim medial. Ndoshta kjo e treta. Me sa kuptoj, shumica e hoxhallarëve që defilojnë në emisione televizive, nuk kanë ndonjë edukim medial, nuk ia kanë idenë dallimit të të folurit nga minberi dhe të folurit në studio televizive. Disa prejt tyre më shumë bërtasin, se sa që flasin. (Në xhami kjo mbase bëhet për shkak të zërimit të dobët, por në studio televizive nuk ekziston problemi i zërimit!) Disa flasin me emocione, duke e shtyrë në plan të dytë kuptimin e asaj që tentojnë të thonë. Disa flasin edhe për aspekte gramatikore të fjalëve arabe, gjë që audienca absolutisht nuk arrin ta kuptojë.

Poashtu, vërej se shumica absolute e hoxhallarëve, nuk kanë kurrfarë profilizimi akademik. Në komunikimin më elementar në medie, publiku lehtësisht e kupton dikend që është historian, atë që është sociolog, tjetrin që është antropolog, psikolog, filolog, fizikan, etj. Kjo kuptohet nga tematika dhe nga terminologjia që përdorin. Ndërsa shumica absolute e këtyre hoxhallarëve nuk janë fare të profilizuar në ndonjë disiplinë.

Sa i përket tematikës, problemi poashtu është dramatik. Gjithë ajo hapësirë në televizion, gjatë një muaji, konsumohet kryesisht për të treguar mirësitë e muajit të agjërimit. Besoj se pa e minimizuar aspak këtë temë, mund të zgjerohet tematika edhe në drejtime të tjera, duke e shfrytëzuar hapësirën televizive për edukimin më të plotë të publikut. Ata që janë agjërues dhe që i shikojnë më shumë këto emisione, sigurisht që kanë informacionet themelore për agjërimin dhe dobitë e tij, për historikun e muajit të shenjtë, sepse po të mos i kishin, bile të rrënjosura, sigurisht që nuk do të ishin agjërues. Prandaj, ata kanë nevojë për zgjerimin e diturive. Ata kanë nevojë të marrin informacione e njohuri lidhur me rezulatet e sociologjisë islame, psikologjisë, historisë, mjekësisë dhe aspektet e tjera diturore, që lidhen me besimin e tyre fetar. Gjithsesi edhe informacione e njohuri për shkencat në përgjithësi, pasi që nuk ka asnjë dije mirëfilli shkencore,e cila është në konflikt me Shpalljen Hyjnore. Megjithatë, publikut në televizion i përsëriten gjërat elementare, që i kanë dëgjuar edhe në xhami ose për të cilat kanë lexuar vetë. Faktikisht, me vite u përsëriten të njëjat tema me të njëtat qasje, pa sjellë rezultate të reja, që vijnë nga studimet e reja që bëhen. Kjo do të ishte sikur nxënësve në shkollë t’u shpjegoheshin çdo vit shkollor të njëjtat përmbajtje mësimore.

Ajo që habitë poashtu është se shumica e ligjëruesve nuk përdorin fare referenca, nuk tregojnë nga kush i huazojnë mendimet që shprehin. Ndërsa, në komunikimin publik, nëse nuk zbatohen rregullat e citimit e referimit, mund të akuzoheni për plagjiaturë.

Për fund: na mban shpresa se në të ardhmen do të ketë zgjerim proporcional të hapësirës mediale gjatë Ramazanit, do të ketë termine më të përshtatshme dhe mbi të gjitha, zgjerim të tematikës, ngritje të cilësisë së emisioneve dhe të komunikimit. Besoj se tematika do të duhej të zgjerohej, duke përfshirë edhe aspekte historike e sociale të Islamit ndër shqiptarë, dokumentarë për xhami të vjetra, për hoxhallarë të njohur që i kanë kontribuar besimit e atdheut, vështrime për literaturën shqipe me sfond islam, vështrime e vlerësime mbi poezinë popullore me motive islame, etj. Emisionet do të duhej të dizajnoheshin me kreativitet, ndërsa komunikimi duhet të ngrihet në nivelet që kërkon ky lloj komunikimi medial dhe të prishmërisë së publikut, i cili nuk është më uniform e tradicional, po është një publik me dituri fetare në ngritje dhe që e ka aftësinë e vlerësimit kritik.

-Sponzor-