Serbia akuzon EULEX-in, KFOR-in e Policinë për mosbashkëpunim rreth vrasjes së Ivanoviqit

0

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, gjatë ditës së sotme ka thënë se shteti serb është duke insistuar në vazhdimësi për zbulimin e vrasësve dhe organizatorëve të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Stefanoviq para Komisionit Parlamentar serb për Mbrojtjen dhe Çështjet e Brendshme ka thënë se EULEX-i, KFOR-i e Policia e Kosovës nuk janë duke shkëmbyer informacione me prokurorinë serbe.

Sipas tij, të gjitha këto organe nuk po i japin asnjë apo po i minimizojnë të dhënat ndaj Prokurorisë serbe për Krimin e Organizuar, prokurori kjo e cila sipas Stefanoviqit është përgjegjëse për kryerjen e hetimeve.

Sponzor

“Pavarësisht nga numri i madh i kërkesave urgjente, kontakteve të drejtpërdrejta dhe hetimeve me shkrim, kryesisht drejtuar EULEX-it dhe UNMIK-ut, autoritetet hetuese serbe nuk kanë arritur të marrin pothuajse asnjë informacion të rëndësishëm që mund të ndihmonte në udhëheqjen e hetimit”, tha ministri serb, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, pavarësisht se është duke u zhvilluar një hetim paralel, pra si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, Stefanoviq ka thënë se, EULEX-i i cili është përgjegjës për kryerjen e këtyre hetimeve, nuk është duke e bërë punën e vet ashtu siç duhet dhe në këtë mënyrë, Serbia është e zhgënjyer me këtë sjellje të EULEX-it.

Siç shkruajnë mediat serbe, Stefanoviq para këtij Komisioni Parlamentar, ka thënë se, EULEX-i në rastin e Ivanoviqit nuk i ka ofruar shtetit serb asnjë informacion dhe deri më tani nuk ka arritur të bëj asgjë për këtë çështje, kështu duke mos i dhënë asnjë qasje Serbisë në hetimet që janë duke u zhvilluar.

“Ne nuk kemi qasje në kamera, dokumente origjinale, vend, dëshmitarë, materiale që kanë mbetur në vend. Ka pasur shumë spekulime në lidhje me këtë rast. Serbia mbetet e angazhuar për gjetjen e vrasësve dhe organizatorëve të vrasjes së Ivanoviqit, sepse është e rëndësishme për qytetarët në Kosovë”, ka thënë ai.

Kujtojmë se, lideri i SPD-së Oliver Ivanoviq ,ishte vrarë më 16 janar të këtij viti në hyrje të zyrës së partisë së tij.

-Sponzor-