Rrëfimi i gruas nga Lipjani që transplantoi veshkën nga një pakistanez për 800 euro

0

Janë 150 persona nga e gjithë Kosova që deri më tani e kanë bërë transplantimin e veshkave. Kjo procedurë mjekësore nuk kryhet në vendin tonë. Për këtë arsye pacientët nga Kosova ua mësyjnë shteteve të tjera. Pakistani, India, Turqia e Shqipëria janë destinacionet kryesore ku këta pacientë e kanë kryer transplantin e veshkave.

E në Pakistan në kohën kur kryheshin transplantimet, pacientët një veshkë e blinin hiç më shumë se 900 dollarë. I gjithë procesi i transplantit shkonte prej 8 deri në 10 mijë dollarë amerikanë
Plagët që në sistemin shëndetësor la krimi që u krye në klinikën “Medicus”, shumë vite më parë, ndihen edhe sot. Kosova ende nuk ka ligj që e rregullon çështjen e transplantit të organeve. Për këtë punë, pacientët që nga paslufta ia mësyjnë vendeve të Evropës për t’i kryer transplantime.

Sponzor

Ka më shumë se 12 vite prej kur zonja tashmë 66 vjeçare T.O., nga komuna e Lipjanit, e ka kryer transplantimin e veshkës. Ajo për një kohë të gjatë kishte pasur probleme shëndetësore nga të cilat tri herë në javë i nënshtrohej procesit të dializës të cilin e kryente në QKUK. Por të gjitha vuajtjet e saj morën fund kur ajo e gjeti një dhurues të veshkës. Por ai, nuk ishte familjar i saj, ajo madje ajo as nuk e njihte personin që do t’ia dhuronte një pjesë të trupit.

Transplantim domosdoshmërisht kjo zonjë do ta kryente jashtë Kosovës. Kjo në mungesë të ligjit për transplantimin e organeve në vend. Ajo e zgjodhi një shtet të Azizë Jugore, Pakistanin. Në këtë shtet, duke u bazuar në ligjet e vendit, pacientët i kanë siguruar veshkat, duke i blerë ato me çmime të lira.

Në Pakistan deri në vitin 2006, veshkat shiteshin nga donatorë të ndryshëm. Familjarët e zonjës nga Lipjani, T.O., me këta donatorë ranë në kontakt përmes internetit. Veshka atyre iu shit nga një 24 vjeçar, ku përshtatshmëria e këtyre organeve ishte shumë e mirë sipas familjarëve.

“Atë kohë (viti 2006), ne kishim dëgjuar që veshkat po shiten në Pakistan. Prej mjekëve ne vetëm e kishim marrë udhëzimin për transplantimin e veshkës për nënën tonë e cila në atë kohë ishte 48 vjeçare. Andaj edhe shkuam”, tregojnë familjarë të zonjës në kushte anonimiteti.

E një veshkë këta pacient në Pakistan e kishin blerë në çmimin e 900 dollarëve përkthyer në euro që i bie afro 800 euro. I gjithë procesi mjekësor i transplantimin kishte kushtar afro 6 mijë euro dhe ishte bërë në spitalin shtetëror në Pakistan.

“Veshka varionte prej donatorëve. Neve na i kishin dhënë diku rreth 900 dollarë. Kemi qëndruar atje rreth 2 muaj.”, thonë familjarët e zonjës.

Por rast të njëjtën si të kësaj paciente kanë edhe dhjetëra pacientë të tjerë. Në vitin 2006 sipas doktorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), rreth 26 pacientë e kanë kryer transplantimin e veshkave në Pakistan.

Shumica nga tash, tash pas 12 viteve, terapitë shëndetësore i vazhdojnë në QKUK, saktësisht në klinikën e Hematologjisë. Rreth kësaj çështjeje për Express, ka folur doktori, Ibrahim Rudhani, nefrolog në QKUK.

“…mënyrën se si janë kryer transplantimet unë nuk e di. Ne askënd nuk e udhëzojmë për shtetet ku duhet të kryhet transplantimi. Edhe këta pacientët që i kanë krye transplantimet në Pakistan, kanë ardh në QKUK si çdo pacientë tjetër që i ka kryer transplantin në Turqi apo ndonjë shtet tjetër. Ata kënë krye transplantimin në institucione shtetërore në Pakistan. Normalisht ata përcillen si të gjithë pacientët tjerë”, thotë doktori.

Sipas, Rudhanit, gjendja shëndetësore e shumicës së këtyre pacientëve është e mirë.

“Gjendja shëndetësore për shumicën prej tyre që i monitorojmë, përcjellim, është e mirë”, shpjegon doktori Ibrahim Rrudhani.

Por ka edhe pacientë të tjerë që transplantimet e veshkave i kanë kryer në Rusi, Indi e shtete të tjera.

Në të gjithë historinë e Kosovës të regjistruar janë rreth 150 pacientë që i kanë bërë transplantet në shtete të ndryshme. Shumica në Turqi e Shqipëri.

Në këto dy shtete, Kosova pacientëve ua mbulon një pjesë të shpenzimeve. Nga Ministria e Shëndetësisë, kanë sqaruar se brenda këtij viti trajtim për transplantim të veshkave kanë kërkuar 10 pacientë.

“Deri tani, brenda këtij viti, përkrahje financiare për trajtim jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike nëpërmjet Programit per TMJIShP, bazuar ne referimet e bëra nga ana e Klinikes se Nekrologjisë në ShSKUK kanë kërkuar 10 paciente. Shuma e shpenzuar deri tani për këto raste është rreth 60,000.00 euro”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas MSH, vendet e trajtimit përzgjidhen në të shumtët e rasteve nga pacientët.

“Vendet e trajtimit përzgjidhen nga vetë pacientët dhe zakonisht këto vende janë si: Shqipëria, Turqia dhe vendet e tjera evropiane”.

E për gjithë vitin e kaluar kanë qenë 132 pacientë të cilëve u janë lëshuar referencat për ta kryer transplantimin e veshkave dhe biopsinë jashtë Kosovës.

Çështja e transplantimit të organeve në Kosovë ka mbetur një tabu në shëndetësinë vendore që prej rastit “Medicus”. Në këtë klinikë, e cila gjendej jo shumë larg kryeqytetit, u kryen transplantime ilegale të veshkave kryesisht në pacientë të huaj.

-Sponzor-