Rekomandimi pozitiv, ja kur do të ketë liberalizim

0

Komisioni Evropian në ditët në vijim pritet ta publikojë rekomandimin për heqjen e vizave për kosovarët, megjithatë vlerësohet se liberalizimi nuk do të ndodhë deri në vitin tjetër, transmeton Gazeta NewBorn.

Në fund të qershorit ose në javën e parë të korrikut pritet të publikohet rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Këtë e ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, e cila është shprehur e bindur se ky rekomandim do të jetë pozitiv.
Por, sipas ekspertëve të procesit të integrimit, edhe po qe se rekomandimi do të jetë pozitiv vendimi për liberalizim të vizave për Kosovën mund të mos ndodhë deri në vitin tjetër.

Madje ata thonë se vendimi mund të mos merret deri pas mbajtjes së zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, të cilat mbahen në maj të vitit 2019.
Ndërkohë, pikërisht Parlamenti bashkë me Këshillin e Ministrave janë dy institucionet e BE-së në të cilat duhet të miratohet rekomandimi i dalë nga Komisioni, shkruan më tutje “Zëri“.

Në anën tjetër, ministrja e Integrimit ka konsideruar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim dhe se nuk ka kurrfarë arsye që të ketë vonesa në këtë drejtim.
Por pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e opozitës shprehen skeptikë nëse vlerësimi do të jetë pozitiv dhe nëse vizat do të hiqen gjatë këtij viti.