Preshevë jemi me ty!?

0

Hysni Gucati

 

Sponzor

Kosova Lindore, apo siç po e quajnë në fjalorin politik Lugina e Preshevës gjendet para udhëkryqeve të mëdha, por jo edhe të pazgjidhshme. Problemi etnik i shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është i madh dhe po rritet për çdo ditë. Ky problem nuk është vetëm i shqiptarëve të Luginës, i Serbisë dhe i shqiptarëve në përgjithësi, por është problem me përmasa ndërkombëtare.

Lugina e Preshevës ka tri komuna me një hapësirë gjeografike me mbi 1200 km katror dhe mbi 80 000 banorë shqiptarë. Në vitin 1948, Presheva, Bujanovci e Medvegja ishin pjesë përbërëse e Kosovës, por që iu bashkangjitën me dhunë Serbisë. Me luginën e Preshevës fillon kontinuiteti i shtrirjes së territoreve shqiptare deri në Prevezë. Nga historia kemi mësuar se nga katër Sanxhaqet e hershme të Kosovës u formuaVilajeti i Kosovës (1877-1912) me seli në Prishtinë (1877-1880) e më vonë në Shkup 1880-1912. Vilajeti i Kosovës ndahej në Sanxhakun e Prishtinës, Shkupit, Jani Pazarit (Pazarit të ri), Nishit, Pirotit (JeshilKoj), Prizrenit, Dibrës, Pejës, Sjenicës, dheTashlixhës (Plevla), territore këto të banuara me shqiptarë qe dymijë e më shumë vjet. Këto territore edhe sot e kësaj dite janë të populluara me populate autoktone shqiptare.

Përbërja etnike në këtë pjesë filloj të ndryshonte nga viti 1877-1880, ku u shtria serbo-malazeze i shpërngulën me dhunë e terror ushtarak rreth 160 mijë shqiptarë. Kështu u spastruan etnikisht 640 vendbanime shqiptare nga rrethi i Nishit, Prokuples, Leskovcit, Vranjës, Kurshumlisë e vendeve tjera të cilat ishin të banuara me shqiptarë autokton diku, qind për qind, në disa vende 70% e në shumë pak territore të kësaj pjese popullata shqiptare e përbënte 50%.

Dyndjes dhe terrorit të vazhdueshëm serb popullata e Luginës së Preshevës i kishte shpëtuar deri në vitin 2001, ku dhuna, persekutimet e shtypja e pushtuesit serb i kishte kaluar të gjitha caqet e shfrenimit dhe keqpërdorimit ndaj popullatës shqiptare të Luginës. Shqiptarët e Luginës së Preshevës për ta përballuar shtypjen dhe persekutimet e përditshme të pushtetit serb, organizuan UÇPMB-në dhe i shpallën luftë.

Lufta e UÇPMB-së me Serbinë mori fund me nënshkrimin e një deklarate, më 21 maj 2001, në Konçul, por nuk kanë përfunduar përpjekjet për ta finalizuar statusin e qytetarëve të Luginës së Preshevës, dhe garantimin e të drejtave të tyre atje për të jetuar të lirë në trojet e veta. Është e ditur publike se pas marrëveshjes së Konçulit, problemet kanë kaluar nga rrafshi konfliktual në rrafshin politik dhe ato do të vazhdojnë deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Qeveria e Serbisë në asnjë rast nuk është pajtuar me zbatimin e Marrëveshjes së Konçulit, as me realitetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të cilët kanë luftuar e do të luftojnë për t’i fituar të drejtat e veta dhe statusin e Krahinës së pavarur. Pas përfundimit të luftës çlirimtare me Serbinë 1999-2001, në Luginën e Preshevës, problemi i shqiptarëve që jetojnë në atë pjesë, u ngrit në instancat më të larta ndërkombëtare. Shumë probleme u trajtuan në KS të OKB-së.

Por edhe aleanca veriatlantike e NATO-s, bëri që të investojnë në zgjidhjen e problemeve të kësaj pjese. Serbia në shenjë hakmarrje, pas përfundimit të luftës mes UÇPMB-së, policisë dhe ushtrisë serbe, burgosi qindra çlirimtarë edhe pse ishin amnistuar zyrtarisht, i dëboj me dhunë e presion policor dhe ushtarak nga trojet veta, mbi 35000 shqiptarë autokton, shumica prej të cilëve jetojnë në Kosovë e në vise tjera shqiptare si në Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri etj, duke pritur ditën e kthimit në trojet e veta. Prandaj, nëse dikush mendon për të bërë kompromise me Serbinë dhe shkëmbime territoresh, shqiptarët e kanë hisen deri në Nishë në Vranjë e Leskovc.

Në Luginë duhet zgjidhur kriza politike e cila është thelluar dhe po merr dimenzione të përmasave të një krize rajonale. Duke e marrë parasysh situatën alarmante të krijuar në Luginën e Preshevës, kërkoj nga spektri politik i të gjitha partive politike që janë të angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi, që ta përfshijnë edhe statusin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sepse pa zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe zgjidhjen e statusit të tyre nuk do të ketë paqe të qëndrueshme në rajon.

Shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, janë shtresa e qytetarëve më e diskriminuar e persekutuar dhe e anashkaluar në hapsirat e ish-Jugosllavisë, por edhe në tërë Ballkanin. Në disa raste janë ndërruar emrat e qyteteve e fshatrave të Sanxhakut të Nishit, ku kanë qenë dhe janë të banuara me shqiptarë, project ky që ka filluar në vitin 1878 dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Shqiptarët e Luginës nuk kanë të drejtë në përdorimin e flamurit dhe të gjuhës amtare në institucione.

Shumica e qytetarëve janë shpërngulur me dhunë nga trojet e veta e kanë të kufizuar apo cenuar lëvizjen e lirë. Bllokimi i teksteve shkollore dhe mohimi i gjuhës shqipe janë cenim i madh i të drejtave.

-Sponzor-