Pas “tërheqjes” së Telekom Serbia, rritet presioni turk për blerje të T Mobile në Shqipëri

0

Dështimi i dukur në plan të parë i tentativës serbe për blerje të operatorit të dytë të telefonisë mobile Telekom Albania nga kompania shtetërore Telekom Serbia, ka kaluar në një nivel tjetër gjeo-politik. Java e kaluar ka njohur një sërë deklaratash të lidershipit serb në krye me Vucic, i cili kërkoi shpjegime shtesë nga shteti shqiptar dhe Kryeministri Rama për mospranimin e ofertës serbe në Shqipëri. Madje mediat serbe raportuan se Vucic ishte i vendosur që Serbia “të blejë Telekom Albania përmes një mënyre tjetër.” Pavarësisht se një blerje e mundshme nga kompania serbe me aksionar edhe rus, padyshim se do të përbënte rrezik potencial për sigurinë shtetërore të Shqipërisë.

Megjithatë, insistimi serb aktivizoi grupacionin turk, aktualisht pronarë të AlbTelecom – operatori i tretë në tregun shqiptar me 13%, të cilët po ashtu kanë ofertuar blerjen e aksioneve të T Mobile në Shqipëri. Burime nga Tirana konfirmojne se një blerje eventuale nuk përbën vetëm kokëçarje për krijimin e duopolit në sektorin e telekomunikimeve, sepse pas Vodafon si operatori më i madh, një bashkim eventual mes AlbTelecom dhe T Mobile do të zotëronte rreth 48% të tregut aktual. Sipas portalit shqiptar Syri.Net, kjo situatë do të rikthente Shqipërinë 15 vite mbrapa kur ekzistonin vetëm dy operatorë në treg. Ndër të tjera, ndikimi në rritje i prezencës ekonomike të Turqisë nuk do të përbënte një lajm të mirë për një shtet kandidat në BE, sic është Shqipëria, në kërkim të diversifikimit të investimeve të huaja.

Duke njohur bashkëpunimin strategjik të Serbisë dhe Turqisë, si dhe lidhjet personale të fuqishme mes Vucic dhe Erdogan të cilat kulmuan me një sërë marrëveshjesh investive të korporatave turke në Serbi, një ndërlidhje eventuale mes tendencave serbe që të infiltrohen përmes fuqisë financiare të Turqisë do të mund të rezultonte si skenar i mundshëm. Tërheqja taktike serbe mund të jetë e koordinuar në atë mënyrë që të jetë përsëri e pranishme në tregun shqiptar përmes qendrave tjera të vendosjes. Në këto rrethana, i mbetet institucioneve të shtetit shqiptar që të jenë më të kujdesshëm për një transaksion të tillë dyshues që në fillim. Për më tepër, një situatë e tillë duo-poliste ku dy kompani ekzistuese në treg duke dominuar totalisht këtë sektor vendosin bashkërisht të shmangin konkurencën duke përfituar nga pozicioni i ofruesit të vetëm të shërbimeve telefonike, mund të jetë fatale duke abuzuar me të drejtat e konsumatorëve.