Para reagimit të Haradinajt, Erdogan e sulmoi për herë të tretë kryeministrin kosovar

0

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka vazhduar të sulmojë kryeministrin Ramush Haradinaj.

Në një tjetër tubim të partisë së tij, AK Parti, ai e ka falënderuar sërish presidentin Hashim Thaçi për operacionin e arrestimit të 6 turqve, dhe sërish e ka quajtur të turpshëm vendimin e kryeministrit Haradinaj për shkarkimin e dy zyrtarëve të lartë të qeverisë.

“Duke i pritur familjet e terroristëve të FETO-s, Haradinaj ka bërë të njëjtën gjë kur Franca i priti në Pallatin Elize terroristët kurdë”, ka thënë Erdogan.

Sipas tij, ky nuk do të jetë as operacioni i parë dhe as i fundit, dhe se kosovarët duhet të kërkojnë llogari për atë që ka bërë Haradinaj.

Sulmi i tretë i Erodganit ndaj Haradinajt u bë pak para se kryeministri kosovar t’i kundërpërgjigjej presidentit turk.

Përgjigja e shumëpritur e Haradinajt për presidentin turk Erdogan ka ardhur në një ditë simbolike – ajo për Skëndërbeun. Haradinaj ishte i prerë, por nuk ishte shumë i ashpër.

Shefi i ekzekutivit të vendit i ka thënë Erdoganit se nuk do ta lejojë të përzihet në punët e brendshme të Kosovës.