Pa pozitë, se është grua?!

0

Shkruan: Edona Salihu

Kohët kanë ndryshuar dhe gratë tanimë po gëzojnë pak më shumë pozita në shoqëri se sa më herët. Por, jo në secilin institucion dhe vend pune po ndodhin gjëra të tilla. Në të shumtën e rasteve ka mungesë të konsiderushme të  grave.

Sponzor

Ishin të pakta, ato vajza dhe gra të cilat janë shkolluar para lufte, dhe ky fakt po bartë pasojat e veta edhe sot. Kjo e tregon më së miri numrin e vogël të atyre grave të cilat punojnë.

Mungesa e tyre, po sjellë një pabarazi gjinore në shoqërinë tonë, sepse në rrethin e atyre të cilët po gëzojnë pozita, renditen burrat në numër shumë të madh dhe gratë në numër tejet të vogël.

Pjesëmarrjen e tyre të ulët e hasim cdokund, por me theks të vecantë në institucione publike, posacërisht në fakultetet e Universitetit të Prishtinës- në institucionin kryesor arsimor, ku pozita gëzojnë një numër i vogël i grave.

Që kur është themeluar Universiteti i Prishtinës, ai kurrë nuk është udhëhequr nga gratë. Duke filluar nga viti 1970 ku rektor ishte Prof.Dr. Dervish Rozhaja e deri tek rektori aktual Marjan Dema, numërohen rreth 14 rektorë dhe të gjithë kanë qenë burra.

Nga 16 njësi akademike që ka ky universitet vetëm 2 dekane janë gra [në Fakultetin e Filologjisë dhe atë të Mjeksisë], të gjithë dekanët e fakulteteve të tjera janë burra.

Për nga stafi akademik, Fakulteti i Filologjisë krijon kushte të barazisë. Nga 73 persona të stafit të këtij fakulteti ku përfshihen- profesorë të rregullt, profesorë të asocuar, profesorë asistent, staf i angazhuar, asistentë dhe lektorë, 37 prej tyre janë gra dhe 34 janë burra.

Edhe, Fakulteti Ekonomik qëndron më mirë sa i përket kësaj, nga 10 profesorë të rregullt në këtë fakultet 6 janë burra dhe 4 gra.

Por, si duket vetëm këto dy fakultete, brenda UP-së po mundohen të krijojnë barazi, fakultetet e tjera nuk kanë krijuar kushte të tilla.

Në Fakultetin e Mjeksisë, nga 25 profesorë të rregullt që ka ky fakultet, 18 prej tyre janë burra e vetëm 7 janë gra. Nga 20 profesorë të asocuar, 16 janë burra dhe 4 gra.

Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, nga 39 persona në personelin akademik, 36 janë burra dhe vetëm 3 gra.

Në gjendjen e njëjtë me Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike qëndron edhe Fakulteti Juridik, nga 70 profesorë të stafit akademik, 56 nga ta janë burra dhe vetëm 14 janë gra.

41 profesorë të rregullt ka Fakulteti i Bujqësisë. Por, 36 janë burra dhe vetëm 5 gra, pra kemi një numër shumë të vogël të grave pjesëmarrëse.

Nëse bëjmë një krahasim të kësaj, del që nga 6 njësi akademike të Universitetit të Prishtinës, në katër prej tyre ka mungesë të konsiderueshme të grave dhe në dy prej tyre nuk ka.

Si arsye kryesore, e kësaj mungese në degë të caktuara mund të rendisim faktin që në kohën e paraluftës shumë pak vajza kanë studiuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, në Fakultetin e Bujqësisë, dhe në atë të Mjeksisë. Pasi që, këto drejtime janë konsideruar se nuk janë për vajza, këtu kanë studiuar më shumë djemtë.

Nëse si shoqëri tentojmë të ndryshojmë, ndryshimi më i madh bëhet në rastet kur pozita e gruas që është tani fillon të ndryshoi. E si mund të ndryshoi kjo pozitë? Ndryshimi i mentalitetit të njerëzve bën që të arrihen ndryshime thelbësore sa i përket kësaj dukurie, pra të mos caktohen drejtimet se ku mund të studiojnë vajzat e ku djemtë. Mirëpo aty ku e gjejnë veten të shkojnë secila palë.

Edhe pse, pak ka filluar të ndryshoi mentaliteti sa i përket shkollimit të vajzave dhe grave, që është një pikë shumë e rëndësishme për të arritur deri tek emancipimi i tyre në vendin e punës. Megjithatë, gratë janë të afta të zënë pozita si në institucione publike ashtu edhe në ato private, sikur atyre mos ti’u mohohet një gjë e tillë. Ne si shoqëri, duhet të mundohemi t’ua japim pozitat që i meritojnë. E jo të veprojmë ndryshe duke i shkarkuar nga pozitat edhe këto pak gra që janë. Sic ishte rasti i prorektores së Universitetit të Prishtinës, e cila u shkarkua nga pozita vetëm pse ishte grua, me pretekstin e një deklarate jo të duhur e që në fakt nuk ishte e atillë sic pretendohej nga disa persona. Në të njëjtën kohë me shkarkimin e prorektores u kërkua edhe shkarkimi i rektorit Marjan Dema, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi. Pse? Sepse ai nuk ishte grua. Ai ishte i lidhur me njerëz të mëdhenj të cilët e sollën në atë pozitë, dhe mbi të gjitha ai ishte burrë.

Ne, si shoqëri do të ndryshojmë, atëherë kur vërtetë nuk do ta shohim dallimin. Përderisa, tentojmë t’i ulim gratë në pozita, t’i largojmë nga pozitat vetëm pse ato nuk janë të ‘fuqishme’ sikurse burrat atëherë ne do të mbesim këtu ku jemi, me këtë sistem të funksionimit shoqëror.

-Sponzor-