Pa denazifikimin e Serbisë, NATO nuk mund ta kompletojë fitoren në Ballkan

0
Me një Serbi të padenazifikuar dhe rusofile, nuk ka gjasa për ta bllokuar influencën dhe prezencën ruse në Ballkan. Prandaj, nuk mund të ketë “Ballkan përpara”, siç pretendon Strategjia e Këshillit amerikan të NATO-s, me një SHBA që i lutet Serbisë për “afrim historik.”
Milazim KRASNIQI
Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, gjatë vizitës së saj në Uashington, (prill 2018) i ka ofruar ministrit amerikan të mbrojtjes, Xhejms Matisit, që të llogaris se bazat tokësore, ajrore dhe detare të shtetit shqiptar mund të jenë në dispozicion të SHBA-ve dhe NATO-s. Arsyetimi i ministres shqiptare të mbrojtjes për këtë ofertë kishte të bënte me rrezikun nga influenca ruse dhe me “influencën nga jugu”, siç u shpreh ajo. Gatishmëria e Shqipërisë që të vërë në dispozicion të SHBA-ve dhe të NATO-s të gjitha bazat e saj, nuk është trill i qeverisë Rama, po e ka burimin te Strategjia e Këshillit amerikan të NATO-s të nëntorit 2017, “Ballkani përpara: Strategjia e re e SHBA-ve për rajonin.” Në pikën 1 të Strategjisë thuhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të vendosin një prezencë të perhershme të ushtrisë në Evropën Juglindore, me çka do të rrisin ndikimin e vet në ngjarjet në rajon. Në Strategji kampi Bondstill i Kosovës përmendet si opcion ideal për këtë prezencë. Por, si duket Bondstilli nuk mjafton. Pse?
Bondstilli si fillim i barrikadimit amerikan në hapësirat shqiptare?
Meqë kampi Bondstill është në kuadër të mandatit që kryen ushtria amerikane në KFOR, sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ai nuk është kamp plotësisht i NATO-s dhe as i SHBA-ve. Prezenca e alternuar e ushtrisë amerikane, në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe brenda mandatit të NATO-s në Shqipëri, duket se do të jetë zgjidhja afatgjatë e rezervuar për hapësirat shqiptare. Sa i përket Bondstillit dhe Kosovës, prezenca amerikane mund të jetë sa të dëshirojnë vetë, sepse ajo prezencë është mandatuar nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, e cila nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e SHBA-ve. Ndërsa pëlqimi i SHBA-ve nuk mund të pritet, nëse Kosova nuk fiton ulëse në OKB, me çka do të hapej mundësia e pranimit të saj në NATO, që do të thotë edhe e vazhdimit të prezencës ushtarake amerikane. Sa i përket Shqipërisë, tashmë ajo prezencë është proklamuar si dëshirë e vetë shtetit shqiptar. Poashtu është e pritshme që përforcim të prezencës së NATO-s të ketë edhe në Malin e Zi, madje siç spekulohet, pikërisht në territorin që ka qenë i diskutueshëm nga pala kosovare gjatë miratimit të ligjit për demarkimin e kufirit ndërmjet dy vendeve. Kjo me Malin e Zi pritet të ndodhë ngase përvojat e këqija të presioneve ruse kundër shtetit të vogël ballkanik, në periudhën kur bëhej gati të anëtarësohej në NATO, kanë lënë shijen e hidhur dhe sigurisht kanë shtuar edhe nevojën e një presence permanente të NATO-s aty.
Barrikadimi kaq i madh i SHBA-ve dhe NATO-s në një territor kaq të vogël, (nëse pranohet oferta zemërgjerë e Shqipërisë dhe nëse do të ketë edhe një bazë të NATO-s në Malin e Zi, krahas mbajtjes së Bondstillit) dëshmon se rrreziqet e reja nga influenca e Rusisë në rajon janë shtuar dhe janë në rritje. Në një artikull të gazetës Nju Jork Tajms, para disa ditësh, kur flitej për tensionet në Kosovë thuhej se “edhe një herë tjetër, Rusia është duke ngritur tensione në një vend që dikur, jo shumë kohë më parë, shihej si triumfi i diplomacisë amerikane – por, që tani është një sfidë e madhe për NATO-n dhe Bashkimin Europian.” Pra, edhe pse SHBA dhe NATO-ja kanë prezencë të fuqishme në Kosovë, prapë se prapë, Rusia arrin të sfidojë dhe të nxisë tensione, sigurisht me dorën e Serbisë dhe të serbëve të zonave veriore të Kosovës. Ndaj forcimi i prezencës amerikane të Bondstillit me prezencë të re edhe nga Shqipëria e ndoshta edhe nga Mali i Zi, duket më shumë si element të Strategjisë së Këshillit të NATO-s, se sa iniciativë kokë më vete e Shqipërisë.
Strategjia amerikane është e vonuar dhe kundërthënëse
Fatkeqësisht, kjo Strategji, edhe e atillë çfarë është, është miratuar me vonesë disavjeçare. Nga bombardimet e NATOs kundër caqeve ushtarake jugosllave të vitit 1999, për shumë vite nuk ka pasur asnjë aktivitet significant të SHBA-ve dhe të NATOs në Ballkan. Për shkak të trilleve greke, u bllokua anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, gjë që krijoi një hapësirë të re për lojërat diversioniste ruse e serbe. Por, kjo ishte një e keqe më e vogël, në krahasim me faktin se nuk u inicua e as nuk u realizua denazifikimi i Serbisë dhe futja e saj me pahir në një proces të integrimit në NATO e në Bashkimin Evropian. Ky ka qenë dështimi më spektakular i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian, pas fitores mbi Millosheviqin dhe armatën e tij gjenocidale. Tash merreni me mend po t’i linin Gjermaninë dhe Japonisë të padenazifikuara pas Luftës së Dytë Botërore, se si do të rridhnin punët në Evropë dhe në Azinë Lindore! E sigurt është se nuk do të kishte as Plan Marshall, as proces të integrimit evropian, e natyrisht as NATO e Gjermani në të, në formatin që e njohim. Ndonëse NATO-ja e mposhti ushtarakisht Serbinë (Jugosllavinë e Zhablakut), pastaj e la në punë të vet, të padenazifikuar. Prandaj, pas tetëmbëdhjetë viteve të bormbardimeve të NATO-s dhe të Marrëveshjes së Kumanovës, sot në pushtet në Serbi janë disa nga bashkëpunëtorët e afërt të Millosheviqit. Ideologjia nazifashiste dhe pansllaviste serbomadhe vetëm është adoptuar në realitette e reja gjeopolitike, por esenialisht e ka vazhduar programin e vet për Serbinë e madhe, me anën e destabiliziimit të Bosnje e Hercegovinës, Kosovës po edhe të Malit të Zi e Maqedonisë. Kështu, kreatura gjenocidale, Republika Serpska, është shndërruar në njëfarë plasdarmi të avancuar të rusofilisë në Ballkan. Ndërsa, Serbia e destabilizon Kosovën vazhdimisht me përdorimin e serbëve lokalë, me rekuizita pansllave e rusofile, që nga djegia e doganave në veri, muri bllokues në Mitrovicë e deri te treni rus.
Teatër absurd gjeopolitik: dështimi i Kosovës si shtet shihet si sukses i NATO-s!
Përkundër faktit se kanë pasur mandat e kapacitete për të frenuar Serbinë postmillosheviqiane, NATO-ja dhe SHBA-të kanë bërë sehir destabilizimin e Kosovës nga Serbia gjithë këto vite, duke shpresuar se Serbia do të zbutej vetvetiu. Bile Bashkimi Evropian, sigurisht edhe me miratimin e SHBA-ve dhe të NATO-s, i kanë dhënë favore të shumta në procesin e Brukselit dhe të integrimit evropian, gjithnjë në dëm të shtetësisë së Kosovës dhe të dezintegrimit të saj. Sipas të gjithë treguesve që janë në dispozicion, oferta ndaj Serbisë ka qenë e dizajnuar ashtu që të jetë gjithnjë në dëm të Kosovës, për t’ia mbajtur të ndezur ëndrrën e rikthimit në Kosovë, ose e pakta të aneksimit të veriut të saj. Ndryshe nuk mund të kuptohet sjellja indolente e NATO-s në veri të Kosovës, ku bandat serbe në vitin 2008 u vunë flakën doganave, dërsa në vitet që pasuan ngritnin gjithandej barrikada në rrugë, ndërsa NATO deklaronte se ky ishte “problem politik.” Djegia e doganave dhe bllokimi i rrugëve nga bandat e armatosura, nën hundët e ushtarëve të NATO-s, është problem i sigurisë, e jo problem politik. Por NATO nuk ka dashur t’ia prishë krejtësisht ëndrrat imperiale Serbisë. Pra, sa i përket Serbisë, NATO pas Marrëveshjes së Kumanovës është sjellë si të kishte një ndjenjë faji, e jo si fitimtare. E gjitha është bërë në dëm të stabilizimit dhe të forcimit të shtetësisë së Kosovës. Nuk është krejt e qartë a është kuptuar ky gabim trashanik i NATO-s, BE-së dhe SHBA-ve, tash që Rusia ka treguar dhëmbët edhe në veri të Kosovës, ku janë shfaqur edhe mercenarë rusë të armatosur.
Ndërsa sa i përket Malit të Zi dhe Maqedonisë, kur goditjet e orkestruara serbe ruse u bënë dramatike, (tentimi për vrasjen e Gjukanoviqit, tentimi për vrasjen e Ziadin Seles në Kuvendin e Maqedonisë) SHBA-të, NATO-ja dhe BE-ja filluan të përmendeshin, sepse u kuptua që goditja serbe e ruse ishte bërë e rrezikshme për gjithë arkitekturën e krahut jugor të NATO-s. Prandaj, ka kaq shumë koncentrim në hapësirat shqiptare dhe në Malin e Zi. Ndoshta edhe nga shkaku se nuk mund të llogaritet plotësisht në lojalitetin e Greqisë, e cila radicionalisht është një anëtare hipokrite e NATO-s.
Në këtë përmendje të NATO-s, SHBA-ve dhe BE-së, duket se kanë pasur njëfarë ndikimi edhe nga zhvillimet në Ukrainë, ku NATO-ja dhe BE-ja kanë pësuar disfatë të rëndë. NATO-ja dhe Bashkimi Evropian e inkurajuan Ukrainën në rrugën e integrimit evro-atlantik, por kur ndodhi goditja e Rusisë (aneksimi i Krimesë dhe pushtimi i pjesë lindore të Ukrainës) NATO dhe BE u stepën. Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, nuk mund të ndryshojnë gjendjen që është imponuar me aneksimin e Krimesë dhe me pushtimin e pjesës lindore të vendit. Poashtu agresiviteti rus ndaj shteteve baltike, ndonëse janë anëtare të NATO-s, ishte një sinjal që Aleanca duhej të rizgjohej nga gjumi triumfalist, që e rëndoi pas fitores së Luftës së Ftohtë në fundin e viteve tetëdhjetë dhe fillimin e viteve nëntëdhjetë. Rusia në ndërkohë u konsolidua, u rimilitarizua dhe u bë sërish kërcënuese, ndërsa shtetet anëtare të NATO-s ende i vazhdojnë diskutimet dhe dilemat se a duhet të paguajnë 2% të BPV për nevojat e mbrojtjes a jo. Derisa këto diskutime e dilema të shteteve anëtare të NATO-s ende nuk janë zgjidhur, goditja e Rusisë në Siri e dha proven finale të një Rusie të rizgjuar, e cila në mënyrë arrogante u është rikthyer pretendimeve imperiale. Ndoshta defansiva e NATO-s dhe e SHBA-ve në Siri, si edhe në Ukrainë më parë, po tentohet të kompensohet duke u rikonsoliduar në Ballkan. Por, kjo përpjekje po bëhet me vonesë disavjeçare, sepse fitorja e NATO-s dhe e SHBA-ve në BeH dhe në Kosovë do të duhej të ishte kompletuar me pranimin e përshpjejtuar të shumicës së shteteve ballkanike në NATO e në BE (si Rumania e Bullgaria) dhe me izolimin e denazifikimin e Serbisë, deri sa Rusia ishte ende e dobësuar. Tash nuk ka mundësi të kompletohet asgjë nga ajo fitore. Por, siç thuhet, më mirë të tentohet vonë se sa kurrë. Tash me Strategjinë e re SHBA po synojnë ta kompletojnë prezencën në Ballkan dhe të mbyllin aq sa është e mundshme vrimat ku mund të futet influenca ruse. Nuk është zor të dihet se influenca ruse futet me efikasitet të plotë aty ku ka ndikim Serbia, pra në vetë shtetin serb, po edhe në BeH dhe në Kosovë, ku ajo lejohet të ushtrojë presione permanente. Në pikën 8 të Memorandumit 2 të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, thuhet tekstualisht: “Të destabilizohen qeveritë e BeH, Kroacisë dhe të Kosovës.” Prandaj, qasja e SHBA-ve, e NATO-s dhe e BE-së është jorealiste, sepse pa e denazifikuar Serbinë, ajo nuk shkëputet as nga ideologjia pansllaviste serbomadhe e as nga influence ruse.
Influenca ruse nuk mund të çrrënjoset nga Ballkani, nëse nuk çmontohet i tërë Ballkani
Në fakt, Ballkani mbetet një rajon ku ndikimi i Rusisë është dhe do të mbetet i fortë, për arsye fetare dhe historike. Fetare, ngase shumica e shteteve ballkanike janë ortodokse (Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia, Bullgaria, Rumania) dhe historike ngase shumicën e këtyre shteteve de facto i ka formuar Rusia (Serbinë, Malin e Zi, Bullgarinë, Rumaninë e Greqinë.) Prandaj, resentimentet fetare e historike (ortodoksia e pansllavizmi) janë të fuqishme, ashtu që në momente të caktuara mund të konvertohen edhe më fort si ideologema antiperëndimore. Nëse këto shtete nuk mbikëqyren dhe nuk integrohen plotësisht në NATO dhe në BE, rreziku nga influenca ruse mund të fuqizohet çdo ditë. Për këtë ka edhe arsye praktike e logjike. Pse? Po qe se i referohemi edhe një herë Strategjisë së SHBA-ve dhe NATOs për Ballkanin, shohim se pas pikes 1, ku parashihet prezencë ushtarake e përhershme në Ballkan, në pikën 2 parashihet të arrihet “afrim historik”me Serbinë. Kjo pikë, de facto është e parelizueshme, ngase infiltrimi rus në Serbinë e padenazifikuar është i pakthyeshëm. Në Serbi tashmë ka njësi të armatosura elite ruse, gjashme si sigurim i Gaspromit, po edhe një bazë ushtarake ruse në Nish. Prandaj, vazhdimi me këtë logjikë për Serbinë, vetëm të karrotës, asnjë efekt nuk do të sjellë në ndryshimin e qasjes pansllaviste e rusofile të Serbisë. Optimizmi i strategëve amerikanë në këtë pikë të huton. Përderi sa Serbia nuk pranon të vendos sanksione ndaj Rusisë, nuk pranon të dëbojë diplomtatë rusë për rastin Skripall, nuk shkëputet nga lidhjet ushtarake e politike me Moskën, (blen armë nga Rusia dhe atje marrin dorë drejtuesit shtetërorë të Serbisë) parashikimi i Strategjsë amerikane duket edhe naiv. Njësoj naive do të ishte oferta amerikane, po t’u bënte ofertë për “afrim historik” gjermanëve e japonezëve, pa ua imponuar denazifikimin. Por, këtu jemi. NATO-ja është vonuar ta kompletonjë fitoren ndaj Rusisë në vitet nëntëdhjetë në Ballkan. Tash duhet të presë edhe dështime, si në Ukrainë e Gjorgji, si edhe në Siri. Megjithatë, gjasat i ka më të mira që ta mbajë disi Ballkanin, ndonëse me një influencë ruse të pazhdukshme, po mbase të kontrollueshme. Thënë shkurt: me një Serbi të padenazifikuar dhe rusofile, nuk ka gjasa për ta bllokuar influencën dhe prezencën ruse në Ballkan. Prandaj, nuk mund të ketë “Ballkan përpara”, siç pretendon Strategjia e Këshillit amerikan të NATO-s, me një SHBA që i lutet Serbisë për “afrim historik.” Afrimi historik, gjeopolitik, ideologjik dhe praktik i Serbisë së padenazifikuar është vetëm me Rusinë. Me BE-në dhe me NATO-n edhe Serbia vetëm luan lojë në litar, duke kërcyer si kloun i dresuar. Vetëm çmontimi i plotë i Ballkanit dhe futja e tij e përshpejtuar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, duke forcuar ekonomikisht e ushtarakisht esencalisht Kosovën, mund ta çrrënjosë infuencën virulente ruse nga Ballkani, ku Serbia fashisoide dhe rusofile është burimi kronik i infeksionit. Me një Kosovë të mbajtur nën kontroll paranoik të NATO-s, pa ushtri dhe pa ia lejuar integrimin e veriut, me një Kosovë buzë dështimit të programuar pikërisht nga NATO-ja dhe nga bashkimi Evropian, për pazaret e tyre të reja me Serbinë, dështimi i SHBA-ve dhe i NATO-s mund të jetë edhe këtu si në Ukrainë. Pra, në vend të kompletimit të fitores së NATO-s në Ballkan, pas disa viteve mund të kompletohet dështimi i NATO-s edhe këtu. (24 prill 2018, botimi premierë në revistën “Shenja” Shkup)
-Sponzor-