NGA MOSKA ËSHTË KTHYER NJË VUCIQ TJETËR?

0

Ardhja e Putinit në nëntor në Beograd, do të qartësojë edhe më shumë aleancën e re serbo-ruse, e cila synon të pengojë zgjerimin e NATO-s dhe zgjerimin e BE-së, sigurisht me të vetmen armë që kanë në dispozicion-  me anën e konflikteve të reja në Ballkan.

Milazim KRASNIQI

Kryetari i Serbisë, Alekdandër Vuçiqi, ka filluar të zbulojë kursin e ri kërcënues ndaj Kosovës, ndja ballkanit e ndaj Perëndimit, pas kthimit nga Moska dhe pas bisedimeve speciale me Putinin, ku për simbolikë ata kanë diskutuar vetëm rusisht. Sipas deklaratës më të fundit të Vuçiqit, ushtria e Kosovës nuk do të mund të shëtisë në veriun e Kosovës. Më saktë, ai ka deklaruar se nëse deri tash ka qenë e mundur kjo gjë, më nuk do të jetë e mundur. ”Ushtria e Kosovës nuk do të mund të shëtisë në veriun e Kosovës”, ka qenë i prerë presidenti i Serbisë. Pika e dytë e programit putinian të Vuçiqit, ka të bëjë me mospranimin e pavarësisë së Kosovës. “Kurrë nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës,” ka qenë poashtu kategorik Vuçiqi. Dhe ka thënë edhe diçka shumë domethënëse: ka thënë se tash e tutje nuk do të lejohet poshtërimi i Serbisë.  “Siç po e shihni, dikund jam i ngopur me heshtjen dhe poshtërimin e Serbisë.”

Kur lidhen këto tre pika, bëhet e qartë se Vuçiqi është kthyer nga Moska me program shumë më agresiv se para vizitës në Moskë. Po qe se krahasohet fjalimi i tij në Mitrovicë më këto që thotë sot, ai ishte shumë më i butë, sepse fliste për paqe, për marrëveshje me shqiptarët, për zhvillimin ekonomik të Serbisë, për triumfin e serbëve me llaptopa e me dituri. Që kur është kthyer nga Moska, Vuçiqi e ka harruar tregimin e tij për llaptopat dhe diturinë dhe i është rikthyer retorikës së ashpër populiste dhe militariste. Bile lidhur me zgjedhjet në Bosnjë e Hercgovinë poashtu ka lancuar akuza ndaj ndërkombëtarëve dhe ka thënë se Serbia nuk do të lejojë as poshtërimin e Republika Serpskas.

Posaçërisht indikative është se pas kthimit nga Moska se ka filluar të sulmojë edhe Malin e Zi, gjë që më parë nuk e bënte. Sikundër dihet, Mali i Zi është në listën e zezë të Putinit, si një vend, i cili duke u anëtarësuar në NATO, e ka tradhtuar Rusinë. Pra, retorika e re populiste dhe militariste e Vuçiqit, ashiqare është e frymëzuar nga vizita në Rusi dhe sigurisht nga ndonjë akord i fshehtë që mund të ketë arritur me presidentin rus.

Nëse vazhdon kjo retorikë e Vuçiqit kundër Kosovës edhe në ditët e javët në vijim, kjo duhet të lexohet si largim i Serbisë edhe nga procesi i dialogut në Bruksel dhe si hyrje në një proces të ri të provokimeve dhe ndërhyrjeve kundër Kosovës. Bile, ka rrezik që pikërisht nga Vuçiqi dialogu në Bruksel ndërmjet Beogradit e Prishtinës tashmë konsiderohet i vdekur.

Ardhja e Putinit në nëntor në Beograd, do të qartësojë edhe më shumë aleancën e re serbo-ruse, e cila synon të pengojë zgjerimin e NATO-s dhe zgjerimin e BE-së, sigurisht me të vetmen armë që kanë në dispozicion-  me anën e konflikteve të reja në Ballkan.