Ndotja e ajrit e vë në lëvizje ministrin Matoshi, kërkon të kontrollohet cilësia e karburantëve

0

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka dërguar katër kërkesa në drejtim të institucioneve, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ajrit, dhe parandalimit të ndotjes, raporton Gazeta Express.
Në kërkesën e dërguar ministrit të Tregtisë, Endrit Shalës, është thënë që duhet të kontrollohet cilësia e karburanteve nëpër pikat doganore dhe gjithashtu edhe nëpër pikat e shitjes, pasi siç potencon kërkesa e ministrisë një nga faktorët kryesor të ndotjes është cilësia e dobët e karburanteve që shfrytëzohen në Kosovë, raporton Gazeta Express.

Një kërkesë e ngjashme i është dërguar edhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, të cilit i është kërkuar që të respektojë në përpikmëri vendimin e Qeverisë së Kosovës që ndalon djegien e thëngjillit dhe shfrytëzimin e tij si lëndë për ngrohje.

Sponzor

Nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, është kërkuar që të organizojë një fushatë vetëdijesuese për qytetarët e Kosovës që të mos e përdorin thëngjillin për ngrohje, bazuar në pasojat shëndetësore që shkakton.

Matoshi gjithashtu një kërkesë të ngjashme ia ka nisur edhe ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt, të cilit i ka kërkuar që të zbatohet urdhëresa administrative për normat e lejuara të shkarkimeve në ajër nga burimet e lëvizshme të ndotjes.

Këto kërkesa të ministrit të Ambientit, Matoshi, vijnë pas gjendjes alarmante me cilësinë e ajrit në Prishtinë.

Vitin e kaluar ishin marrë po ashtu masa të ndryshme për përmirësimin e cilësisë së ajrit në kryeqytet, megjithatë e njëjta situatë po përsëritet edhe këtë vit./GazetaExpress/

-Sponzor-