Ndodhi edhe kjo me këta dy mijë veteranë të UÇK-së

0

Kur vjen puna te paratë, kosovarët po del të mos e kenë asnjë kufi. Vetëm që të mbushin xhepat e tyre, ata e shkelin edhe ligjin. Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se rreth 3 mijë persona kanë vazhduar të marrin pensione apo ndihma sociale, pavarësisht faktit se janë të punësuar. Numri më i madh i tyre janë veteranë, raporton Gazeta Express.

Arjeta Shabani

Sponzor

Ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdojnë të përfitojnë pensione si veteranë, pavarësisht faktit se ata janë të punësuar.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se janë më shumë se 2 mijë veteranë që kanë përfituar pensione, edhe pse ata kanë një vend pune prej të cilit sigurojnë të ardhura.

Vetëm për pensionet e tyre, shteti ka shpenzuar vjet rreth 400 mijë euro.

Përveç veteranëve, dallavere të tilla janë bërë edhe me ndihmat sociale dhe pensionet për ish-minatorët e Trepçës. Numri i këtyre rasteve shkon në rreth 500.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, për pagesat e pensioneve për këto kategori janë shpenzuar mbi 450 mijë euro gjatë vitit të kaluar.

“Përfitimi i pensioneve apo ndihmave sociale nga persona të cilët punojnë apo realizojnë të ardhura personale. Vlera e pagesave për vitin 2018 ishte 454,779€. Vlen të ceket se sa i përket pagesave të ndihmave sociale për personat e punësuar nuk kemi hasur ndonjë rast pas muajit prill 2018”, thuhet në raportin e Auditorit.

Ndërkohë, sipas Ligjit për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veteranët të cilët punojnë nuk kanë të drejtë që të përfitojnë edhe pensione.

“Veteranët e UÇK-së të cilët janë të punësuar në sektorin publik dhe privat nuk kanë të drejtë të përfitimit të pensionit”, thuhet në Nenin 16 të këtij Ligji.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në MPMS për të marrë informacione se pse kanë kryer pagesa të tilla dhe nëse do të ndërmarrë ndonjë masë për kthimin e këtyre mjeteve, por deri në momentin e publikimit të tekstit nuk ka marrë përgjigje.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kishte kryer pagesa të tilla edhe në vitet paraprake deri në muajin shtator 2018 kur edhe ishin ndërprerë ato.

“Megjithatë me vendim të Qeverisë NR.12/82 të dt. 28.12.2018 ishte aprovuar vazhdimi i pagesave të pensioneve të dyfishta për FSK-në dhe TMK-në deri në interpretimin përfundimtar të ligjeve për skemat pensionale nga institucioni i ngarkuar me këtë kompetencë. Lidhur me këtë, MPMS-ja deri në përfundim të auditimit për vitin 2018 nuk kishte arritur të sigurojë interpretim të bazës ligjore për skemat pensionale në fjalë apo të përditësojë kornizën ligjore aktuale, siç parashihet edhe me Strategjinë Sektoriale 2018-2022 e aprovuar nga Qeveria”, thekson Auditori.

Ky institucion vlerëson se pagesa e pensioneve pas vdekjes, si dhe pagesat e pensioneve për personat të cilët janë përfitues nga më shumë se një skemë pensionale rrisin rrezikun e pagesave pa bazë ligjore.

ZKA-ja i rekomandon ministrit Skënder Reçica që të iniciojë menjëherë procedurat për harmonizimin e legjislacionit për skemat pensionale, duke shfrytëzuar mekanizmat ligjorë te organet përkatëse të cilat janë të ngarkuara me përgjegjësi për të bërë interpretime dhe vlerësime të pajtueshmërisë së dispozitave ligjore.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj ish-krerëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari, për “Keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar, që ndërlidhen me fryrjen e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

-Sponzor-