Mustafa koalicionit: Ejani të matemi në zgjedhje, LDK-ja nuk bashkëpunon me ju për dialogun

0

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ditën e sotme ka dalë edhe një herë me sqarim për koalicionin aktual qeverisës se partia e tij nuk do të bashkëpunojë për dialogun Kosovë-Serbi, pasi siç shprehet Mustafa nuk u beson. Ka përmendur zgjedhjet, në fakt i ka ftuar që të maten në zgjedhje të reja. Po ashtu u ka përmendur edhe kohën kur PDK rrëzoi qeverinë e tij.
Mustafa ka hedhur akuza ndaj kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, se krekoset për rrëzimin e Qeverisë Mustafa.

“Kryetari i PDK-së dhe zëvendësi i tij krekoseshin dhe vazhdojnë të krekosen se e rrëzuan qeverinë e drejtuar nga LDK, ku ishin edhe vetë, sepse nuk kishte guxim të merr vendime të mëdha. Ne u themi atyre sot, urdhëroni ju dhe merrni vendime të mëdha, nëse mundeni”, shkruan Mustafa, transmeton Gazeta Express.

Sponzor

Sipas tij e gjithë kjo ka ndodhur për shkak të oreksit për pushtet.

“Në fakt oreksi për pushtet dhe zhveshja nga çdo normë e përgjegjësisë e PDK-së dhe Kryetarit të saj me organizimin e mocionit të mosbesimit së bashku me ata që e kallën Kosovën për dy vjet me radhë, që na gjuajtën me vezë, me gaz lotsjellës, me shishe mollotovi, që na sulmuan shtëpitë dhe familjet, e sollën vendin në këtë gjendje ku jemi. Pa një mazhorancë qeverisëse, me një qeveri e cila çdo ditë merr vendime (të mëdha) skandaloze mbi vendimet skandaloze të ditës paraprake:, thotë Mustafa.

U ka përmendur edhe votat e LDK-së pro demarkacionit me Malin e Zi. Duke u shprehur se ky proces u votua për shkak të qytetarëve, ndërsa thekson se për dialogun nuk do të bashkëpunojë me partitë në pushtet pasi nuk ka besim në koalicionin e tyre.

“Për LDK-në problemi nuk qëndron as te pushteti as te kolltukët kur është fjala te temat me interes të vendit. Deputetët tanë e votuan marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi. E votuan për interes të qytetarëve, jo për merita të koalicionit qeverisës. Sepse krejt Kosova e di se kush e pengoi demarkacionin dhe liberalizimin e vizave. E penguan me kauza të rrejshme dhe veprime të dhunshme ata që sot qeverisin me vendin.

LDK nuk bashkëpunon me këtë koalicion në procesin dialogut, sepse nuk i beson. Ne e themi qartë se nuk ikim nga përgjegjësia jonë për vendin, por rrjedhimisht nuk ndajmë përgjegjësi me ata që u treguan të papërgjegjshëm. As nuk bëjmë marrëveshje me njerëz, të cilëve nuk iu besojmë”, thotë Mustafa.

Shkrimin e ka përfunduar duke i ftuar partitë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“LDK, dhe unë si kryetar i saj, do të dëshironim që të ekzistonte një nyje e besimit ndërmjet forcave politike në Kosovë. Pa besim reciprok nuk ecin temat e mëdha.

LDK ju fton: ejani të matemi në zgjedhje, i respektojmë rregullat, pastaj rreshtohemi për dialog me një qeveri të shumicës, me përfshirje të gjerë dhe platformë që merr besimin e 2/3 të deputetëve të Kuvendit. IM”, ka përfunduar kryetari i LDK-së.

-Sponzor-