Mogherini: Dyert e BE’së janë të hapura për Kosovën

0

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europain për Politikë të Jashtme e Siguri, Federica Mogherini ka deklaruar se Kosova është pjesë e strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe e gjitha që është paraparë për të tjerët është e mundur edhe për Kosovën, porse është i nevojshëm plotësimi i disa kushteve përfshirë edhe dialogun me Beogradin.

“Strategjia thotë se të gjithë partnerët kanë perspektivë europiane. Ky është mesazhi i qartë. Mesazhin e transmetoj sidomos për të rinjtë, sepse e di se çfarë do të thotë kjo perspektivë për ta. Megjithatë, Kosova duhet të punojë disa gjëra para se të ketë perspektivë europiane”, ka thënë Mogherini, përcjellin medie nga Beograd.

Ajo, duke folur për kushtet që Kosova duhet t’i përmbushë për të përparuar drejt BE-së, ka përmendur vazhdimin e dialogut me Beogradin.

“Po shoh interesimin e liderëve për këtë çështje, prandaj duhet ecur përpara. Kjo gjë kërkon guxim. Kosova duhet të implementojë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe marrëveshjet tjera siç është ajo për Gjykatën Speciale. Reformat në Kosovë nuk i kërkon vetëm BE, por edhe qytetarët”, ka thënë ajo.

“Dyert janë të hapura, ne ju dëshirojmë brenda, ejani të punojmë bashkë në realizimin e këtij qëllimi”, ka thënë Mogherini.