LEKAJ NË “CRANS MONTANA FORUM” SHPALOS ZHVILLIMIN INFRASTRUKUROR TË KOSOVËS

0

27 qershor 2019

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, po merr pjesë në edicionin e 30-të “Crans Montana Forum”, në Gjenevë të Zvicrës. Lekaj, në këtë ngjarje që mbledh përfaqësues të sheteve, organizatave dhe institucioneve të shumta ndërkombëtare, është ftuar për të paraqitur të arriturat e Republikës së Kosovës në infrastrukturë dhe transport, si dy fusha të rëndësishme për lidhje mes shteveve, duke krijuar mundësi të zhvillimit ekonomik dhe fqinjësisë së mirë.

Sponzor

Në fjalën e tij, Lekaj theksoi se për një periudhë 10 vjeçare, janë ndarë mbi 2 miliardë euro nga buxheti i vendit për ndërtim të 150 kilometrave autostradë, 90 kilometra rrugë nacionale dhe rehabilitim të mbi 90% të rrjetit të brendshëm rrugor.

Ai i informoi edhe për projektet e rradhës infrastrukturore, të cilat do të fillojnë së shpejti, me qëllim të krijimit të mëtutjeshëm të lidhjes me vendet fqinje dhe koridorret evropiane. Në përmbushje të këtij synimi, Lekaj tregoi para të pranishmëve, për fillimin e punimeve në rehabilitmin e linjës hekurudhore nga Prishtina në drejtim të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, duke mos lënë anash edhe planifikimin për jetësimin e linjës drejt Shqipërisë.

Se Kosova është e fokusuar të bëhet destinacion i shumë vendeve të botës, Lekaj tha se kjo dëshmohet edhe përmes performancës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, i cili me përfundimin e zgjatjes së pistës, do të realizojë edhe fluturime të destinacioneve më të largëta, duke ngritur edhe më tutje numrin e pasagjerëve, që ka kaluar 2 milionshin.

Për tre dekada rresht, “Crans Montana Forum”, është një vendtakim i vendimmarrësve të nivelit më të lartë, për të ndarë eksperiencën dhe idetë për interesat e përbashkëta.

-Sponzor-