Vendim arbitrar dhe bizar i Senatit

0

Edhe pse në kredencialet e revistës “Acta Universitatis Danubius”asgjë nuk ka ndryshuar, Senati i UP-së vendos “që ka ndryshuar”, duke cenuar parimin e shanseve të barabarta.

Prof. asoc. Milazim KRASNIQI

Sponzor

Senati i UP-së paskësh marrë vendim që revista “Acta Universitatis Danubius” të mos pranohet si valide nga data 1 mars 2019, për emërimin dhe vlerësimin e stafit tonë akademik. Në arsyetim thuhet se vendimi u mor në bazë të propozimit të Komisionit Qendror për Studime të Doktoratës të UP-së. Por, vendimi i Senatit është arbitrar dhe bizar. Pse?

1. Universiteti që nuk e ka asnjë revistë të veten kredibile, realisht nuk ka asnjë kompetencë dhe asnjë të drejtë morale të vlerësojë revistat e universiteteve tjera, të cilat janë në platforma kredibile dhe nuk kanë asnjë kontestim prej të tjerëve. Në këtë rast, një universitet që nuk u ofron mësimdhënësve të vet asnjë mundësi për publikim, i penalizon ata edhe kur botojnë në ndonjë revistë jashtë vendit! Thjesht, ky vendim na tregon se UP-ja në vend se t’ia lehtësojë stafit të vet akademik punën, pikësynim e ka t’ua vështirësojë.

2. Në vendim thuhet se revista nuk do të pranohet nga data 1 mars 2019, edhe pse ajo është “e listuar në databazat e përcaktuara nga Senati i UP-së.” Nëse revista është e pranuar në databazat e përcaktuara nga Senati i UP-së, i bie që Komisioni Qendror për Studime të Doktoratës ka bërë propozim arbitrar, për ndonjë qëllim të mbrapshtë. Flitet që arsyetimi që ka paraqitur njëri nga bosat aty, është s e revista duhet të bllokohet, sepse aty po botojnë mësidhënësit e UP-së! Tingëllon e pabesueshme për njeriun normal!Në këtë kontekst është e paqartë se si do të trajtohen doktorantët që nuk janë pjesë e stafit të brendshëm të UP-së, a do të penalizohen edhe ata? Nëse po, ky do të ishte mesazh që askush të mos vijojë studimet doktorale në këtë universitet, ku penalizohen edhe pa qenë pjesë e stafit akademik.

3. Duke i pranuar si valide punimet e botuara deri më 1 mars 1019 e duke mos i pranuar ato që do të botohen prej datës 2 mars 2019, Senati krijon pabarazi, nxitë debate e konflikte ndërmjet punonjësve të vet. Pra, edhe pse në kredencialet e revistës “Acta Universitatis Danubius”asgjë nuk ka ndryshuar, Senati i UP-së vendos “që ka ndryshuar”, duke cenuar parimin e shanseve të barabarta. Kjo vërtet është bizare për një organ të lartë akademik, përveç në rastet kur ai organ nuk e ka preokupim ruajtjen e integritetit të vet.

Fatkeqësisht, ky nuk është vendimi më arbitrar dhe më bizar që ka marrë deri sot Senati i UP-së. Vendime edhe më drastike ka marrë deri sot ky organ, kundër mësimdhënësve të UP-së, duke ua vështirësuar punën e avancimin mësimdhësve, veçmas të rinjve dhe veçams atyre që nuk janë pjesë e tarafeve parapolitike. Por, as në rastet e mëparshme e as në këtë rast, askush nuk do të reagojë. Pse? Sepse të gjithë jemi të bindur se Universiteti i Prishtinës është i kapur nga një grupim i hekurt, ndaj të cilit reagimet janë të kota. Bile hakmarrja e atij grupimi ndaj atyre që eventualisht reagojnë, mund të jetë edhe më e ashpër, se sa pengimi në avancim. Kjo është arsyeja që heshtet kështu si po heshtet. E dhimbshme. Megjithatë edhe e turpshme. 11 mars 2019.

 

 

 

 

-Sponzor-