Kombit tonë i kërkohet të dalë nga lëkura e vet

0

Shkruan: Milazim KRASNIQI

KOMBIT TONË I KËRKOHET TË DALË NGA NGA LËKURA E VET

Sponzor

Nëse bën të thuhet fjala e fundit si e para, atëherë mund të thuhet se shqiptarët si komb nuk kanë të ardhme të mirë. Natyrisht, duke shtuar menjëherë edhe këtë pjesë të mendimit: me këto mend që i kanë! Pra, me këto mend, me të cilat udhëhiqemi sot, ne shqiptarët të ardhmen nuk e kemi aspak të sigurt. (Meqë çdo hipotezë kërkon argumentim, që të shndërrohet në tezë, në vazhdim do të bëj përpjekje që të sjellë disa argumente për këtë hipotezë realiste, por që tingëllon si skepticiste e pesimiste.)
Fillimisht një digresion, për një fakt, të cilin mund ta kenë në majë të gjuhës demagogët e papërmirësueshëm: kombi shqiptar në këto dy deceniet e fundit i ka zgjeruar hapësirat e veta, me pavarësimin e Kosovës. Shumica e shqiptarëve jetojnë në demokraci dhe janë pjesë e familjes së madhe euro-atlantike. Pra, ky është një fakt. Por, kjo është kornizë e realitetit, e jo realiteti i plotë. Pse?
Fuqia e pamjaftueshme dhe kriza e mendimit

Sepse Kosova nuk është çliruar nga fuqia e shqiptarëve, po nga NATO-ja dhe për këët shkak, vazhdon të jetë e papranuar si shtet nga OKB-ja, nga BE-ja, nga OSBE-ja e madje edhe nga vetë NATO-ja. Bile, tashmë janë hapur edhe projeksione ogurzeza për të ardhmen e saj, që mund të shkojnë edhe në drejtim të zhbërjes së saj si shtet. E dyta, edhe demokracia është imponuar nga zhvillimet gjeepolitike në Europën Lindore, e jo si një proces i brendshëm i shoqërive shqiptare a i kombit shqiptar. Bile, dekontaminimi i elitave nga ideologjia markiste dhe adresimi ligjor i krimeve të komunizmit, nuk kanë ndodhur ende, si ka ndodhur në shtetet e tjera të ish bllokut komunist. Pra, kombi shqipar nuk i ka realizuar me fuqinë e vet projektet, për të cilat krekosemi. Meqë nuk i ka realizuar me fuqinë e vet, ka mbetur ne pozitë neokoloniale, veçmas Kosova, po edhe në pozitë inferiore si komb në përmasat europiane. Nga një pozicion dhe konfuzion i tillë, kombi ynë as nuk ka arritur që të formojë një mendim të përpunuar për atë q ëka ndodhur. Prandaj, edhe mund të thuhet se kriza më e madhe aktuale e neve shqiptarëve si komb është kriza e mendimit. Rrallë bën vaki të gjendet edhe një komb i dytë në faqe të tokës që krahas ndryshimeve që i kanë ndodhur, falë ndihmave të huaja dhe koniukturave të ndryshuara gjeopolitike e gjeokulturore, të mos i ketë shoqëruar ato ndryshime me ndryshimin e mendimit për veten, për realitetin dhe për botën, në pajtim me kohën në të cilën jeton. Për dallin nga koha e Rilindjes Kombëtare, kur mendimi kulturor e politik u parapriu projekteve të kombformimit e të shtetndërtimit, në kohën tonë ka një ngurtësim në mënyrat e deplasuara të mendimit, ashtu që shumica e çështjeve me të cilat përballemi ne shqiparët e sotëm, nuk marrin fare përgjigje adekuate. Me gjithë këto universitete, kolegje, institute dhe medie, kjo krizë e mendimit kulturor, akademik e politik është paradoks më vete.

Narracionet e mëdha që fshehin dështimet e mëdha
Besoj se kjo krizë e rëndë e thellë e mendimit e ka burimin te dy burime, e para te modernizmi dhe e dyta, te marksizmi, që realisht është derivat i modernizmit, por që ka prodhuar një shkallë shumë më të lartë të deformimit të të menduarit ndër ne shqiptarët. Pra, ai mendim që ekziston, sigurisht i deplasuar dhe i deformuar, mbështetet në shtyllat ideologjike te modernizmit dhe marksizmit dhe si i tillë nuk ëshë adekuat as me realitetin dhe as me kohën. Fjala vjen, konceptimi modernist mbi kombin dhe shtetin, ende shkon në atë drejtim që e glorifikon kombin dhe shtetin, si autoritet suprem, mbi çdo vlerë tjetër. Prej këndej e kanë burimin edhe idetë aventuriste iredentiste për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si edhe ideja e çoroditur për “korrigjimin” e kufijve të Kosovës, në drejtim të Luginës së Preshevës. Pra, në fokus të mendimit e të ideve dominante, nuk janë njerëzit, nuk janë shoqëritë, po është ideja autoritetit suprem të kombit.

Në vazhdën e kësaj, janë edhe narracionet e mëdha për heroizmat e paparë të shqiptarëve përgjatë historisë. Mendimi hileqar modernist tenton të fabrikojë skenderbegizimin e mjerimit të sotëm politik, nënëterezizimin e mjerimit të sotëm social, uçk-izimin e imoralitetit të sotëm politik, alibinë e kanabisizimit dhe kriminalizimit të Shqipërisë, etj. Fjala vjen, shënimin e 500 vjetorit të Skenderbeut, e pompojnë pseudointelektualë hipokritë me prejardhje marksiste dhe politikanë të korruptuar e të kriminalizuar. Natyrisht, mesazhet e tyre nuk ngjisin, për shkak të imoralitetit të tyre.

Faktikisht, këto narracione të shpifura, përdoren për të fshehur dështimet e sotme të elitave, për të amnestuar krimin dhe për të propaganduar gjërat që nuk janë. Këta propagandues modernist të dalë jashtë boje, flasin për kombin shqiptar si kombin më të vjetër të Europës, i cili gjoja na e paskësh mbrojtur Europën (kur nuk ka mundur ta mbrojë veten!), flasin për pastërtinë eternale të kombit e lloj-lloj budallallëqesh të kësaj natyre, me çka i afrohen koxha fort edhe konceptit racist për kombin, të periudhës mes dy luftërave botërore.
Brenda sfondit të këtyre narracioneve moderniste, tërësisht të deplasuara, është edhe antifetarizmi, me theks të islamofobia, si një epidemi më kutërbuese se sa kolera. Mizëri profesorësh universitarë, shkrimtarësh, gazetarësh, filozofësh, piktorësh e politikanësh, vazhdodjnë ofensivat tipike moderniste, kundër fesë, duke dëshmuar se janë jashtë realitetit, jashtë kohës në të cilën jetojnë. Disa kanë mbetur peng të doktrinës hoxhiste për shndërrimin e Shqipërisë e të shqiparëve në shtet-komb ateist. Disa kujtojnë se Vatikani ka qejf të dëgjojë idiotësitë e tyre, pa ua kërkuar fare.
Antimendimi i këtyre elitave moderniste-marksiste poashtu afirmon verbërisht materializmin, si gjoja të vetëmjaftueshëm për të na çuar sigurt në ardhmëri. Bile ka ndër ta edhe teveqela që ende flasin për nevojën e industrializimit dhe për fuqizimin e kombit në konfrontim me shtete si Turqia dhe shtetet arabe, që në realitet janë shtete aleate të shqiptarëve.

Ne thjesht jetojmë në një kohë tjetër
Përderi sa elitat shqiptare dërdëlisin këso narracionesh moderniste/marksiste, ne jetojmë thellë në kohen e postmodernizmit, ku narracionet e tilla për kombin, për shtetin, për besimet fetare dhe për aleancat, janë dekonsruktuar. Koha postmoderne dhe mendimi që e refklekton realitetin postmodern, mbështeten në një vistër tjetër vlerash, që nga skepticizmi ndaj të kaluarës, ku bën pjesë edhe modernizmi e deri te liria e individit dhe raporti i tij me shtetin e me identitetet e shumta. Fatkeqësisht ne shqiptarët ende nuk kemi përgjigje për dilemat dhe sprovat e kësaj kohe, as në fushën e mendimit intelektual, as të vlerave artistike, as të mendimit filozofik, as të artkitekturës, as të mendimit politik. Me mendim ne jetojmë më shumë në të kaluarën, se sa në të sotmen. Ndërsa, e sotmja e kombit shqiptar dhe e entiteteve që quhen shtete shqiptare, ka nevojë për mendim të përpunuar lidhur me këtë gjendje (Lyotari e pati quajtur “gjendje postmoderne”.)

Minimalisht do të duhej të përpunohej mendimi lidhur me lirinë dhe përgjegjësinë e individit shqiptar, në kohën e lirisë dhe të internetit. Meqë identitetet e brishta në këto realitete zvetënohen, duhet të analizohet se si mund të mbrohen e të kultivohen. Këta të rinj shqiptarë që po duan të ikin nga sytë këmbët, kanë ardhur në këtë gjendje tjetërsimi kombëtar e fetar, mu nga mungesa e mendimit dhe frymëzimit. Ndryshe nuk do të kishin kaq pasion që të ikin nga identiteti i vet, nga vetvetja. Pra, në këtë aspekt është e qartë se mungesa e mendimit adekuat politik, shkencor, artistik e intelektual, i ka shtyrë ata drejt zhgënimit, më tutje drejt dealbanizimit kulturor e fetar. Si duhet t’i qasemi këtij realiteti të hidhur? Me dogma për pastërtinë e kombit, për figurat e mëdha, për heroizmat ndër shekuj? Jo.

Koha në të cilën jetojmë kërkon mendim të përpunuar edhe lidhur me familjen shqiptare, e cila ka filluar të luhatet nga shprishja morale, nga egoizmi, hedonizmi e konsumerizmi. Studimi i traditave tona dhe i përvojave pozitive në botë, do të ndihmonte në ruajtjen e këtoj institucioni vendimtar për identitetin tonë. Gjithsei në këtë sfond duhet të studiohet dhe të pranohet roli i besimeve fetare në forcimin e kohezionit dhe stabilitetit kolektiv, si edhe të stabilitetit emocional e shpirtëror individual. Toleranca është njëra nga vlerat themelore të kohës në të cilën jetojmë, prandaj ajo duhet të afirmohet e të bëhet pjesë e diskursit dominat në arsimin publik, në medie, në komunikimin politik e fetar. Përfundimisht, duhet të kuptohet se intoleranca dhe fushatat denigruese, veçmas ndaj fesë islame, vetëm sa e rrënojnë kombin shqiptar, i cili në fillimet e veta dhe në gjithë historinë si është komb, është identifikuar si komb me shumicë muslimane. Ky komb nuk mund të dalë nga historia e vet, nga lëkura e vet! Nëse ky fakt nuk respketohet e nuk kultivohet, në të ardhen kombi shqiptar jo vetëm që do të zvetënohet edhe më shumë moralisht, por do të mund të rrallohet në mënyrë të pariparueshme edhe demografikisht. Rasti i shqiptarëve të Sanxhakut është i dhimbshëm dhe shumë ilustrues, ndonëse historianët tanë markistë nuk e kanë studiuar fare. Thjesht, nuk ka të ardhme të ndritur për kombin shqiptar, pa fenë islame si pjesë përbërëse e identietit te tij, meqë kjo është feja e shumicës së shqiptarëve.

Për çfarë të ardhmeje mund të shpresojmë
E sigurt është që në të ardhmen e kombit tonë ndikojnë edhe faktorët të jashtëm gjeopolitikë e gjeokulturorë. Perspektiva europiane dhe atlantike ka ndikim direkt dhe realisht brenda kësaj ombrelle e ardhmja e kombit tonë është më e sigurt se sa jashtë saj. Meqë dinamika e ndryshimeve në botë është e madhe, duhet të studidohen të gjitha zhvillimet që të parandalohen rreziqet dhe që të përfitohen favoret e një bote që po ndryshon. Po qe se do të studiohen me kujdes e me saktësi krizat dhe projektet, mund të menaxhohen më mirë ose të amortizohen efektet e dëmshme ose armiqësore të tyre. Pra, nëse nuk ndryshon qëndrimi ynë ndaj dijes, nëse ajo nuk vihet në shërbim të nevojave dhe projekteve aktuale, ne nuk kemi të ardhme të sigurt e aq më pak të ndritur. Kjo është fusha e betejës për të ardhmen, e jo narracionet bajate e idiotike nacional-romantike, për gjoja të kaluarën e ndritur, përderisa zhgërryemi në moçalin e mjerimit të së tashmes dhe faktikisht pa të ardhme. Thënë edhe më thjesht: nëse këta 60 për qind të të rinjve shqiptarë të Kosovës, që janë shprehur se dëshirojnë ta braktisin vendin, ikin me të vërtetë, ateherë, ku është e ardhmja e Kosovës?! Te pleqtë gjysmë të matufosur, që ende kanë nostalgji për komunizmzin jugosllav? Jo fort më mirë është gjendja edhe në Shqipëri, ku nostalgjikët enveristë luten të rrojë e kaluara, ndërsa të rinjtë jetojnë pa shpresa reale për të ardhmen, në një vend ku prodhimi më rentabil është kanabisi.
Për çfarë të ardhmeje mund të shpresojmë, nëse nuk e zëvendësojmë ideologjinë arrogante të modernizmit e marksizmit, me njohjen kritike dhe me menaxhimin adekuat të realitetit në të cilin jetojmë? (23 shtator 2018, botim premierë në revistën Shenja.)

-Sponzor-