Kodi i ri Civil i Kosovës nuk e lejon martesën e personave të gjinisë së njëjtë

0
epa06256477 A participant joins lesbian, gay, bisexual, and transgender (LGBT) rights groups during Kosovo's first-ever pride parade held in Pristina, Kosovo, 10 October 2017. EPA-EFE/VALDRIN XHEMAJ

Projektkodi i ri civil i Republikës së Kosovës, nuk lejon martesën ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë. Kjo shkon kundër Kushtetutës së Kosovës, thonë aktivistet për të drejtat e komunitetit LGBT
Në kapitullin e dytë të këtij kodi, është e definuar martesa e cila ligjërisht në Kosovë njihet vetëm ndërmjet dy bashkëshortëve të gjinive të ndryshme, transmeton Gazeta Metro.

“1. Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua. Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjërisht e rregulluar. Martesa lidhet me dhënien e pëlqimit të burrit dhe gruas dhe nënshkrimin e tyre para zyrtarit (ofiqarit) të gjendjes civile”, thuhet në pikën 1 të nenit 1138.

Sponzor

Në ndërkohë, drejtori i Qendrës për Barazi dhe Liri të komunitetit LGBT në Kosovë (CEL), Blert Morina, ka thënë për Kallxo.com, se konsiderojnë që një gjë e tillë është shkelje e të drejtave të komunitetit LGBTI dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Për ne sidomos tani ku jemi në përditësimin e ligjeve, konsideroj që një lëshim i tillë nuk duhet të ndodhë nga institucionet, ku kjo pike ka me vazhdu me qëndru si e tillë. Kushtetuta është akti me i lartë dhe normalisht as shoqëria civile nuk duhet të lobojë për ligje të caktuara sepse ajo duhet të jetë iniciativë e institucioneve, të cilat duhet të sigurohen që të gjitha ligjet të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe jo e kundërta” është shprehur ai.

Morina u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të trajtojnë në mënyrë të barabartë komunitetin LGBTI.

“Nëse një gjë e tillë mbetet siç është, atëherë kemi me ju kthy të njëjtës punë prapë! Institucionet tona duhet të kuptojnë dhe pranojnë që komuniteti LGBTI ekziston, të cilët duhet të jenë dhe të trajtohen barabartë si pjesa tjetër e shoqërisë dhe mos ta përjashtojnë mundësinë e lidhjes se kurorës mes dy burrave, dy grave”, ka përfunduar Morina.

Ky kod ende nuk ka hyrë në fuqi dhe është në diskutim publik.

-Sponzor-