Kapen keq ish-ushtarët e UÇK-së: Leshi nuk më han për ty

0

Deputeti i transferuar nga VV në PSD, Fisnik Ismaili, është përplasur me përfaqësuesin e veteranëve të UÇK’së, Nasim Haradinajn, për të cilin ka thënë se nuk i han leshi se çka thënë për luftën dhe Betejën e Koshares.

Ismaili ka treguar se Nasim Haradinajn e kishte njohur gjatë luftës në Koshare, duke kujtuar një moment kur i njëjti s’kishte ditur të përdorte radiolidhjen.

Sponzor

Ky deputet ka folur edhe për Milaim Zekën, për të cilin ka thënë se ka përfituar në kohë lufte duke shitur xhirime eksluzive të betejave të UÇK’së.

Lexojeni të plotë reagimin e tij:

Më paskan përgojue në TV Nasim Haradinaj edhe Milaim Zeka për Betejën e Koshares. Të parin as s’e kam dijtë se kush është kur e kam pa më 1999, edhe ka qenë shkurt gjatë betejës, ndërsa ky i dyti, kam tregue edhe më herët, ka ba mija e mija euro si “gazetar” duke i shitë xhirimet ekskluzive të betejës, e duke i bllokue gazetarët e huej me ba reportazhe vetë.

Nasimi paska thanë që pasna mbushë e zbrazë bateria në Koshare. Ma shumë as nuk kam pritë prej një njeriiu të nivelit të tij intelektual me dijtë për teknologjinë, posaçërisht atë pak më të sofistikueme të komunikimit.

Para se me i tregue saktë detyrat e mia në Koshare, për të cilat s’kam folë në plotni asnjiherë, po e tregoj takimin tim të vetëm me Nasim Haradinajn në Koshare, për të cilin as s’kam dijtë se kush është, i posaardhun prej Londre, atëherë 25 vjeçar, djalë esnaf, hasret, babë i një 4 vjeçari që s’e ka dijtë a më sheh prapë, por i përkushtuem skajshmërisht në detyrat e mia:

Isha përgjegjës për pajisjet e komunikimit edhe radiolidhjeve. Pata dalë para shtëpizës në fshatin Padesh, ku e kishim “zyrën” – një dhomë të vogël por përplot mjete teknologjike, e që njëherësh komplet objekti shërbente si komanda e brigadës, në të cilën banin gjumë edhe nga e cila e kanë koordinue betejën figurat e shqueme si Agim Ramadani, Salih Çekaj, Rrustem Berisha dhe Anton Quni. Këta dy të fundit sot miq të mirë, vëllezër, dhe kolegë deputetë, anipse në parti të ndryshme.

Aty në oborr e pash Nasimin, që e kish kapë radioidhjen e verdhë për antene, edhe ecke pak si kapadai, tuj qitë me duer. Radiolidhje të verdha i kishim nja 20 copë, Grundig, të kodueme në laptop, që me ia pamundësue armikut përgjimin. Ato i mbanin veç komandantët edhe dikush ia kish dhanë Nasimit të veten. Në raste, komandantët ia jepshin radiolidhjet ushtarëve të besuem, edhe kujtova që edhe ky është një qasi ushtari. Jo se isha mërzitë nëse e kisha dijtë se është komandant, meqë kisha reague njajtë kur e kisha pa duke i keqtrajtue pajisjet e çmueme. Edhe reagova.

Unë: “Hej, fiju-fiju… Qajo pajisje që e ke në dorë, quhet radiolidhje. Qajo pjesa ku e ke kapë e po e luhatë, quhet antenë. Shërben për me përçue edhe pranue radio-sinjale. Kjo pjesa e zezë këtu poshtë, quhet bateri. Poashtu shërben për me e mbajtë radiolidhjen në dorë. Prandej kape qaty, e mos shko me na i prishë pajisjet, të cilat i ruejmë si sytë e ballit.”

Tipi u ndal, më kqyri nji herë shtrembër, e kapi radiolidhjen për baterie, edhe vazhdoi.

Mbas nja gjysëm ore, erdh dikush tuj qeshë, po ma ban: “E kishe ba nervoz Nasim Haradinajn, që i ke thanë mos me e kapë radiolidhjen për antene.”

Unë: “Kush o Nasim Haradinaj?” Ai nisi me m’kallxue se është komandant që ka ardhë te na në Koshare me na pa, e tërrt-mërrt, tuj tregue për të llafe medemek, sa i “randësishëm” është.

Unë: “M’ha leshi kush asht. Pajisjet e mia s’ka me i prishë tuj i kapë për antene, edhe zot me qenë.”

Kaq për njohuninë e Nasim Haradinajt për teknologjinë. Vazhdon mos me m’hangër leshi se kush është Nasim Haradinaj.

E, a ma ka marrë mue inat që atëherë, apo jo, prapë leshi s’më ha, se s’më kujtohet që e kam pa prapë ndojherë gjatë luftës. Veç e di që kurrë ma radiolidhjen për antene s’te ka kapë prej asaj dite.

Tash, për detyrat e mia gjatë Betejës së Koshares:

Gani Begun, komandantin tim, e kam takue rastësisht në fshatin Babinë afër Bajram Currit, në fillim të prillit 1999. Edhe ai kish ardhë prej Londre edhe njiheshim prej atje. S’ishim pa nja 6 muej, edhe s’e kishim pasë idenë për njani tjetrin që ishim nisë për luftë.

Ishte dita ime e dytë aty, në një shkollë të improvizueme, të shndërrueme në mini kazermë, në të cilën ushtarët stërviteshin 2 javë, para se me shkue në front. Atë ditë i kisha shkrepë 3 ose 4 plumbat e mi të parë në jetë, duke i gjue do kanaçe me pushkë 10-she, si pjesë e njësitit të artilerisë së lehtë me minahedhës 80 mm.

U gëzova kur e pash Ganën, e ai u gëzue edhe më shumë, sepse komandanti i kazermës, Musë Dragaj, i kishte thanë me gjetë ushtarë për me e krijue repartin e ndërlidhjes, e aty s’ish se kishte ushtarë që merrshin fort vesh në këtë punë. I thasë që as unë lidhje me radiolidhje s’kam, por ai insistonte se di më shumë për teknologji se krejt tjerët aty bashkë, edhe se e mësoj shpejt.

Me urdhër të Musës, u krijue reparti i ndërlidhjes me mue dhe Ganiun, ky ndërlidhës me shkollë nga akademia ushtarake në Sarajevë dhe shumë vjet shërbimi në aeroportin e Sllatinës, të cilëve na urdhëruen me u nisë për front menjiherë të nesërmen, meqë beteja në Koshare sapo kish fillue do ditë, e kush idenë s’kish se çka ndodhke. As gazetarët nuk lejoheshin me vazhdue përtej Babinës.

Rruga deri në fshatin Papaj, që ishte fillimi i zonës së luftës në brezin kufitar, ishte e lehtë deri te Dheu i Kuq me një veturë, por mbas asaj na u desht me vazhdue përpjetë duke ecë, meqë granatohej ajo pjesë brenda në territorin e Shqipërisë nga forcat serbe. Pjesën tjetër e kemi ba në kambë, që për një esnaf si unë, me 140 kg trup edhe cantë 40 kg në krah, e një çantë me skener edhe aparat digjital Kodak (i posadalun në treg, 700 funta e kisha ble) në dorë, një rrugë si ajo malit përpjetë ka qenë tmerri vetë.

Në Papaj, hala pa mbërri mirë me pushue dy minuta, na del Anton Qunipërpara, për të cilin as idenë nuk e kishim kush ishte, i gjatë, me uniformë dhe pamje të një ushtaraku të shkëlqyem, por me një fytyrë që na i shtini ethet, e sy të haptë që të bante me mendue se është ndojfarë bishe i pa mëshirë, e që sot hala bajmë hajgare me këtë tregim. Ky na urdhëron me vazhdue tutje, e na as lidhjen ma të vogël s’e kishim se ku po shkojmë.

Pika e territ, në një terren plot lloç e borë, na zuni rrugës për Padesh, një fshat në rrotë të qyqes pa rrymë, ku e kuptuem se një shtëpi e vogël dykatëshe prej guri, me dyer të ulëta që më bijshin deri te gjoksi, ishte komanda e Betejës së Koshares.

Atë natë u takuem për herë të parë me komandantët e brigadës në një dhomë të vogël, te ndriçueme me qirinj edhe flakën e kaminit, e dritare të mbulueme me batanije, mos me na pa armiku. Më kujtohen Rrustem Berisha dhe Sali Çekaj. Ishte dita kur ish vra Agim Ramadani, e unë e Ganiu s’e kishim idenë. S’e kishin idenë as ushtarët tjerë, nga të cilët e mbanin lajmin fshehtë, që mos me ua ulë moralin. Kufini ishte thye veç pak ditë më herët me vetëm 150 veta, ishte kaos, ishte kohë shumë e ndjeshme edhe rrezik shumë i madh me dështue gjithë ai mund e përkushtim.

Na u caktue një dhomë e vogël edhe një kohë shumë e shkurtër me i instalue pajisjet, centralet ndërlidhëse, e krejt mjetet që nuk ishin vu në përdorim. Komunikimi ishte kaotik, me radiolidhje të vogla e vijë fronti që zgjerohej, deri sa u rrit distanca aq shumë, sa që nuk dëgjoheshin me njani tjetrin shpesh, se nuk mbërrinin valët.

As vetë nuk e di se qysh, as saktë çka kemi ba. Me një agregat të vogël që përdorej për mbushje të disa baterive, për 5 ditë e shndërruem dhomën tonë në një ambient hi-tech përplot pajisje. Komunikohej pa problem në distanca të mëdha. E tanë beteja, çdo aksion e çdo veprim, dëgjohej në dhomën tonë. E mbaj mend kur u pat futë Rrusta mbaa 5 ditësh në dhomë, na pat kqyrë me habi e pat thanë “Çka qenkeni ju kështu, o hej?”

Deri në fund të luftës u patën bë diku mbi 150 radiolidhje e diku 1500 ushtarë. Të verdhat Grundig, që ishin diku rreth 20, e që nuk përgjoheshin se i kishim të kodueme, përdoreshin nga komandantët kryesorë, dhe aty flitej më lirshëm për veprimet. Tjerat, të zezat, përdoreshin nga komandues togjesh e ushtarë kyçë, për komunikim që nuk e kompromitonte betejën. Detyra jonë ishte me dëgjue me kujdes, me u sigurue që, nëse dy veta nuk dëgjoheshin, me shërbye si urë komunikimi, dhe me u sigurue që asnjë prej 150 radiolidhjeve nuk mbetet pa bateri, në një mal të madh pa rrymë.

E kishim një Motorola të vogël të një komandanti të vrarë serb (të cilën e mbaj suvenir), e cila shërbente me i përgjue pak se çka po flasin, meqë sinjali nuk mbërrinte larg. Nxirrnim tek tuk informata, deri na erdhi Burim Berisha një ushtar entuziast, student shumë i kfilltë i elektros, i cili u ofrue me na ndihmue me riparue radiolidhje të prishuna, edhe na tregoi për centralin e komunikimit serb në karaullën e Koshares, të cilën e kishin hudhë në podrum edhe dojshin me e kallë. Të nesërmen me një gomar të ngarkuem, na e pruni centralin dhe u bë pjesë e ekipit tonë.

Nga momenti kur i dëgjuem forcat serbe duke folë, me radius diku 15 km, e që fushëbetejën dukej se po e mbanim në shuplakë të dorës, unë e mora përsipër përgjimin e forcave serbe, meqë e njihja gjuhën e armikut mirë. Mu desh një javë me i identifikue se ku ishin Sava, Papagaji, Struja, Ðavol, e plot të tjerë, duke u koordinue me atë çka e komunikonin ushtarët tonë. Tash e dinim që sa herë ndërmerrte aksion ndonjë komandant serb, me e paralajmërue togun tonë që ishte përballë tyne. Prej asaj dite, asnjëherë nuk na kanë zanë të papërgatitun.

Nuk shkoi gjatë, i mësova të gjithë vëzhguesit e tyne, nofkat e zërat. I mësova caqet e koordinatat që ia jipnin artilerisë së tyne, me na i qëllue pozitat. E kisha diku 1 minutë me i paralajmërue ushtarët tonë me u largue prej atij pozicioni. Nuk e mbaj mend një viktimë tonë të vetme nga predhat serbe, kur i paralajmëroja unë. Detyra ime parësore, krejt rastësisht, u bë me i ruejtë ushtarët tonë, edhe e kam bë me përkushtimin më të madh.

Ka ndodhë shpesh që kam nxjerrë informata që i kanë zbulue pozicionet e serbe. Një vëzhgues serb, që na pat ba fort zullum, e nuk dijshim se ku është, pat shkue për një fjalë goje. Kur i ra një predhë qorre afër, e dëgjova që tha “Uh, ova mi je pala blizu.” (Kjo më ra afër). Atë ditë çantën e tij ma prunë dhuratë, mbasi e eliminuen. Njajtë Strujën (doktori i tyne) dhe Pračka e Crni Leptir (mbjellës minash), i patëm çue në ajër në gjysë të natës prej një informate të vockël që ma zuni veshi. Ka pasë kësi rastesh boll.

Më e bukura ishte kur Ali Krasniqi, miku im i mirë Lila, i blozhdonte me artileri 160 mm, e ata bërtitshin në radio “NATO nas polkapa sa svih strana!” (NATO po na blozhdon nga të gjitha anët).

Dy herë kam qenë në rrezik jete: herën e parë nga një snajper, që ish futë thellë në pozitat tona edhe iu kish afrue shtëpisë në Padesh. Derisa isha duke pi cigare e ba llaf me snajperistin e famshëm Mike Spath, mu mu duk se më kaloi një mizë te veshi, ai e dëgjoi goditjen e plumbit në murin prapa edhe reagoi. Sot s’kisha qenë gjallë pa të.

Ditë më vonë, mbasi Mike e pat blozhdue një konvoj ushtarak, ia kam kthye duke e paralajmërue nga një sulm artilerit. Pat shpëtue me vetëm 4 copa të vogla shrapneli në dorë.

Herën e dytë për pak më pat huqë një predhë në oborr të shtëpisë, e cila ka qenë cak i artilerisë serbe ÇDO DITË të lume të luftës, deri e goditën në ditën e fundit të luftës, dhe ma vranë mikun e mirë, Haziz Tolajn.

Detyrat e mia ishin aq të ndjeshme, sa që i kam raportue direkt Anton Qunit e Rrustem Berishës, ose kur rreziku ishte iminent, direkt komandantëve ose ushtarëve tjerë. Shumë pak veta kanë pasë qasje në zyrën tonë të ndërlidhjes e përgjimit, e cila u bë e njohun për krejt UÇK-në, meqë ne ishim të parët që kemi vu kontakt me grupet tjera brenda territorit të Kosovës. Ai skeneri që e kisha marrë prej Londre, e ai aparati digjital, bashkë me laptopin që na pat mbërri më vonë, kanë shërbye për me i përgatitë hartat për sulmet e koordinueme të NATO-s, posaçërisht në 3 javët e fundit të luftës.

Nëse fakti se për 2 muej e sa lufte në Betejën e Koshares janë humbë 117 jetë, në krahasim me Betejën e Pashtrikut, në të cilën për 2 javë janë humbë mbi 250 ushtarë, nuk të ban me mendue se reparti i ndërlidhjes së Koshares nuk ka pasë rol kyç në këtë betejë, për të cilën serbët kanë ba edhe filma dokumentarë nga tmerri, atëherë unë zyrtarisht po e shpalli veten një ushtar të thjeshtë që i ka shkrepë veç 4 plumba në Koshare, edhe ka mbushë e zbrazë bateri.

Ka edhe asi si qifti i Nasimit, që nuk ia kapë truni më shumë. Zatën, edhe sherri i tij e kam çkye edhe certifikatën e veteranit, sepse falë tij na u ka poshtnue edhe kjo pjesë e kontributit të ushtarëve të vërtetë.

Por pishman kurrë s’i bi.

-Sponzor-