ISIS e humb edhe fshatin e fundit ku strehohej

0

Operacionet ushtarake katërvjeçare për ta dëbuar Shtetin Islamik nga territoret e Irakut dhe Sirisë përfunduan të shtunën pasi fshati i fundit që kontrollohej nga terroristët është marrë sërish nga Forcat Demokratike Siriane dhe trupat amerikane, duke i dhënë fund teokracisë ushtarake që dikur shtrihej në këto dy shtete.

I shtrirë në Baghuz të Sirisë, territori i fundit prej 4 kilometrash katrorë u mbrojt për disa muaj nga terroristët e mbetur, duke i detyruar forcat amerikane të qëndrojnë në distancë për një kohë mjaft të gjatë.

Sponzor

Në javët e fundit, familjet e militantëve u larguan nga kjo zonë për ta shpëtuar jetën e tyre. “Ky është një moment i madh, jo vetëm për ne, por për tërë botën”, tha Kino Gabriel, zëdhënës i Forcave Demokratike Siriane, të cilat mbështeten nga ushtria amerikane dhe të cilat i udhëhoqën operacionet kundër ISIS-it. “Sidoqoftë, nuk mund të themi se ISIS-i ka mbaruar. Është e vërtetë që ata kanë mbaruar si ushtri, por kërcënimi i tyre mbetet në tërë planetin”, tha ai.

Forcat Demokratike Siriane duke i kërkuar luftëtarët e ISIS-it
Në pikën më të lartë para katër vjetësh, Shteti Islamik e kontrollonte një territor që ishte i barabartë me sipërfaqen e Britanisë së Madhe dhe gjithashtu i kontrollonte jetët e 12 milionë njerëzve.

Ky grup kishte marrë nën kontroll qendra të mëdha, përfshirë Mosulin, qytetin e dytë për nga madhësia në Irak. Mbizotërimi i ISIS-it shtrihej në lindje deri te Rrafshi Nineveh në Irak, vend i cili përmendet në Bibël. Ky grup i përdorte muret e kishave të lashta si cak për trajnime me armë. Në jug, pushteti i tyre shtrihej deri në Palmyra, e cila u bë simbol për pamjet e tmerrshme të heqjes së kokave të njerëzve.

Me fjalë të tjera, ISIS-i e kontrollonte një territor që përbënte 75 për qind të tokës së mbjellur me pambuk në Siri dhe 40 për qind të tokës së mbjellur me grurë në Irak. Përpos këtyre, ky grup kishte marrë nën kontroll edhe hidrocentrale, miniera të fosfatit dhe burime të naftës.

Territori i madh ia mundësoi këtij grupi atë që asnjë grup tjetër terrorist nuk e kishte bërë. Përmes mbledhjes së taksave nga miliona banorë dhe përmes shfrytëzimit të burimeve natyrore, Shteti Islamik përfitoi miliarda dollarë, duke u bërë organizata terroriste më e pasur në botë.

Gra dhe fëmijë duke u larguar me autobus nga fshati i fundit i ISIS-it drejt kampeve të kontrolluara nga forcat kurde të Sirisë
Qytetet dhe qytezat që i morën nën kontroll ua mundësuan ndërtimin e burgjeve, kampeve të trajnimit dhe zyrave administrative në qendrat me popullsi civile. Në këtë mënyrë, grupi mbrohej nga sulmet ajrore për shkak të rregullave ndërkombëtare të luftës kundër sulmimit të civilëve.

Mijëra luftëtarë tash ndodhen në burgje, ndërsa dhjetëra mijëra gra e fëmijë po mbahen në kampe. Shumica e të huajve që i janë bashkuar kalifatit rrezikojnë të mbeten pa shtetësi sepse po vlerësohen si të padëshiruar në shtetet prej të cilave u larguan dhe luftëtarë armiq në shtetet ku ndodhen tash, shkruan “The New York Times”, transmeton Gazeta Express.

-Sponzor-