IBRAHIM RUGOVA ISHTE JODOGMATIK, LIBERAL DHE TOLERANT NDAJ BESIMEVE FETARE

0

Po të kishte idenë e konvertimit, ndërrimit të fesë, ai do ta bënte gjatë viteve nëntëdhjetë, kur ishte nën presionin e tmerrshëm psikologjik të ngjarjeve tragjike të vendit të tij dhe ashtu do ta tërhiqte edhe më shumë vëmendjen e opinionit publik botëror dhe të faktorëve ndërkombëtar. Në atë rast ai do të duhej të pagëzohej, sepse pa pagëzuar personi nuk llogaritet që të jetë bërë i krishterë. Por, nuk ka asnjë dëshmi për ndonjë gjë të tillë. Pra, nuk ka ndjerë shtysë shpirtërore për konvertim. Nga ana tjetër, Rugova e ka pasur të qartë se Vatikani nuk ka divizione të armatës, që me to ta ndihmonte eventualisht çlirimin e Kosovës, prandaj nuk ka pasur pse të konvertohej për të fituar simpatinë e Vatikanit. Atë simpati e ka pasur mjaftueshëm me politikën e vet joviolente.

Në gjithë këtë kontekst, një gjë është e qartë si drita e diellit: Ibrahim Rugova e ka ditur saktësisht që vetëm Shtetet e Bashkuara mund të realizonin çlirimin e Kosovës nga okupimi serb. Prandaj edhe është mbështetur pothuajse tërësisht vetëm në mesazhet që i vinin prej administratës së SHBA-ve. Por, nuk ka pasur asnjë ide e asnjë veprim gjatë tërë viteve nëntëdhjetë, që të konvertohej në protestant, gjoja për t’ua bërë hatrin amerikanëve. Nga ana tjetër, është e sigurt që pas çlirimit të Kosovës, Rugova pati filluar të bëhej nga pak kokëfortë e arrogant ndaj të gjithëve, pra edhe ndaj amerikanëve. Këtë ngjarje që po e tregoj këtu, ma ka treguar ai vetë në gusht të vitit 1999, në njërin nga ato takimet që kishim deri sa po përgatisnim mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Sponzor

Kështu, në një takim që kanë pasur gjatë verës 1999 në Gjermani, Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi e Rexhep Qosja me sekretaren amerikane të shtetit, Medlin Olbrajt, Rugova ka kundërshtuar dhe ka refuzuar tërësisht propozimin e saj. Propozimi i sekretares Olbrajt ishte që të krijohej një përfaqësi e përbashkët e të tre subjekteve, për të përballuar më lehtë problemet që po shfaqeshin në Kosovën e çliruar. Rugova kishte kundërshtuar kategorikisht. Në vërejtjen e Kristofer Hillit ndaj tij, pse nuk po i dëgjonte, ndërsa ata ishin mësuar që ai të mos ua kthente fjalën, Rugova i ishte përgjigjur Hillit tekstualisht kështu: “Ka ardhë koha që edhe ne me ba pak politikë!” Pra, pas çlirimit Rugova ishte bërë më kokëfortë, më i hidhëruar, ndërsa e gjithë kjo është e kundërta e reflektimit, meditimit ose vrasjes së ndërgjegjes, që janë shtysa për konvertimin eventual të njerëzve. Pra, ai nuk i kishte këto shtysa më as në politikë e lëre më si bindje fetare. Nga ana tjetër, nuk do të duhej të manipulohej me gjeste e vizita të ndonjë hierarku kishtar gjatë sëmundjes së Rugovës, sepse kjo do të ishte vërtet johumane.

Gjatë lëngimit të ndonjë personaliteti, madje edhe të një njeriu të thjeshtë, atë e vizitojnë miq e dashamirë, duke u lutur për të me dëshirat që të tejkalojë sëmundjen e të shërohet. Një vizitë të tillë e ka pasur Rugova, në prag të vdekjes, edhe nga një kardinal nga SHBA-të, por ajo vizitë vërtet duhet të trajtohet si gjest human e miqësor i atij personaliteti, e jo si tendencë që të manipulohet fetarisht me Rugovën, në kohën kur ai po i numëronte ditët e fundit në këtë botë. Vizita tek të sëmurët bëjnë njerëz bindjesh e pozitash të ndryshme fetare, por vizitat e tyre, nuk ua ndërrojnë besimin fetar të sëmurëve. Edhe mua më ka qëlluar të vizitojë ndonjë të njohur katolik, kur ka qenë i sëmurë dhe të marr pjesë në varrimin e ndonjërit prej tyre. Natyrisht, aty secili duhet të sillet njerëzishëm, të thotë ndonjë fjalë të mirë ngushëlluese dhe të shkojë pastaj në punë të vet. Pra, nuk mund t’i kërkosh një të sëmuri të krishterë që aty para teje ta thotë shehadetin, ose të kërkosh që një i vdekur i krishterë të varroset duke ia kënduar tallkinin. Janë gjëra që e kanë secila vendin e vet dhe nuk ka pse të ngatërrohen.

Po qe se do të ndodhte, do të ishte keqpërdorim i mikpritjes dhe manipulim me besimin fetar, duke e përdorur si propagandë, sepse i sëmuri gjithmonë ka nevojë që të ngushëllohet dhe jo gjithmonë mund të jetë i aftë ta dallojë manipulimin nga dashamirësia. Por, Rugova nuk ishte rast i të sëmurit që dorëzohet dhe pret vetëm vizita ngushëlluese. Ai ishte aktiv në politikë deri në fund dhe i mediatizuar në maksimum edhe gjatë periudhës së fundit të jetës së tij. Por, as politika e as mediet nuk raportuan për pjesëmarrje të tij në mesha ose rituale kishtare. Nuk raportuan as për ndonjë gjest ose aktivitet në drejtimin e fesë islame. Ai mbeti konsekuent në bindjet e tij liberale, ku edhe besimi fetar i individit konsiderohet si çështje tërësisht personale. Prandaj, besoj se manipulimi me figurën e tij në planin fetar, pas vdekjes së tij vërtet do të duhej të mbyllej.

Sa i përket fesë islame si besim, Ibrahimi asnjëherë nuk e ka thënë një fjalë të pahijshme, gjë që ishte në pajtim me natyrën e tij. Por, ndonjë herë tregonte ndonjë barsoletë për sjelljet e rugovasve të tij. Thoshte se ata ishin kthyer në Islam relativisht vonë dhe se nuk kishin arritur të thelloheshin në besim, edhe për shkak se në atë vend të largët e të izoluar, nuk kishin shkuar hoxhallarë të shkolluar e që do të dinin t’ua shpjegonin besimin. Madje, i tregonte, ndonëse jo me shkathtësi, disa barsoleta, lidhur me rugovasit, që kishin kushtëzuar kalimin në Islam në pranverë, pasi t’i kishin ngrënë derrat që ende i kishin. Por, kur fliste për cektësinë e besimit islam ndër rugovas, nuk thoshte “ata rugovasit”, po thoshte qartë “ne rugovasit”, pra, duke përfshirë edhe veten në atë komunitet muslimanësh rugovas, që ndonëse ishin bërë muslimanë, nuk ishin thelluar fort në besim.

Si një vlerë interesante e paraqiste figurën e gruas në Rugovë. Thoshte se ajo nuk ishte ngulfatur nga zakone orientale, po kishte mbetur me status më të lirë, dilte vetëm, të përshëndeste në rrugë edhe kur ishte pa burrin, e gjëra të ngjashme. Pra, nga kjo anë, mund të thuhet se ai ishte kundër mbetjeve orientale në mentalitetin dhe në jetën shoqërore të shqiptarëve. Por, këto mbetje orientale ai kurrë nuk i barazonte me fenë islame. Por, as këtë nuk e sforconte, sepse sikundër kam shënuar diku më lart, sforcimet ideologjike ose fetare, atij ia acaronin nervat.

E fundit, për besimin fetar të familjes së vet, Rugova e ka lënë edhe këtë dëshmi, e cila nuk lë kurrfarë dilemash në këtë temë:

 

“Feja e familjes sime është Islami, por një islam simbolik, po e përsëris ne jemi muslimanë simbolikë dhe tolerantë gjithmonë e kemi pasur këtë tolerancë të gjerë pas vdekjes së Skënderbeut: respektin e lidhjeve të shenjta, ndjenjën religjioze, që çdo tempull, çdo kishë katolike, çdo xhami, çdo kishë ortodokse është e shenjtë. Në familjen time për shembull thuhej se këto janë gjëra të shenjta dhe duhet të respektohen. Andaj në sajë të kësaj tolerance ne kemi mbijetuar deri tani”. Prandaj, kjo temë vërtet është e mbyllur. (Fragment nga libri “Sekretet qw nuk i mori me vete Ibrahim Rugova” i autorit Milazim Krasniqi)

 

 

-Sponzor-