Haradinaj kërkon 250 mijë euro dëmshpërblim nga Gazmend Muhaxheri

0

Në Gjykatën e Pejës është mbajtur seanca gjyqësore në rastin ku Ramush Haradinaj e ka paditur Gazmend Muhaxherin për shpifje.

250 mijë euro dëmshpërblim po i kërkon përmes gjykatës kryeministri Haradinaj nga kryetari i Pejës.
Shefi aktual i Qeverisë e kishte paditur më 2015 Gazmend Muhaxherin për deklarata “fyese dhe shpifëse” në gazetën austriake “Der Standard”.

Sponzor

Avokati i Haradinajt, Arianit Koci, tha se Gazmend Muhaxheri ka shpifur me “deklarata të pavërteta” për Ramush Haradinajn.

Sipas Kocit, Gazmend Muhaxheri gjatë intervistës për të përditshmen austriake me gjuhë denigruese ka shpifur në adresë të klientit të tij.

“Ai e ka ndërlidhur z. Haradinaj me biznese të pompave të benzinës dhe me lojëra të fatit. Po ashtu, e ndërlidh të njëjtin me disa përleshje që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë”, tha në seancë avokati Koci.

Mbrojtësi i kryeministrit tha se Gazmend Muhaxheri iu ka referuar disa ngjarjeve që asnjëherë nuk janë zbardhur dhe të cilat kanë ndodhur pas luftës, sidomos në rajonin e Dukagjinit.

Po ashtu, avokati tha se kryetari i Pejës gjatë intervistës për gazetën austriake ka lëshuara “deklarata shpifëse”, duke e ndërlidhur Ramush Haradinajn edhe me konfliktin me ushtarët e FARK-ut.

Përmes këtyre deklaratave, sipas avokatit, është dëmtuar reputacioni i Ramush Haradinajt dhe se vlera e dëmshpërblimit që kërkohet është 250 mijë euro.

Në këtë seancë, gjyqtarja Ganimete Puka tha se pala e paditur ka propozuar të dëgjohet si dëshmitare gazetarja e “Der Standard”, Abdelged Wold dhe se me këtë propozim është pajtuar edhe avokati Arianit Koci.

Seanca e radhës do të mbahet më 9 korrik.

-Sponzor-