Gjuriqi paralajmëron Kosovën: Ose hiqne taksen, ose kjo ndodh me ju

0

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se Serbia ka kërkuar reagim të menjëhershëm dhe të vendosur të komunitetit ndërkombëtar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të rritur për 10 për qind taksën ndaj importit të mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
“Përgjegjësia për të ndalur këtë dhunë ekonomike dhe ligjore bie mbi komunitetin ndërkombëtar”, ka deklaruar Gjuriq, gjatë një konference për media.

Gjuriq ka thënë se Prishtina ka bllokuar dhe ka parandaluar vazhdimin e dialogut në Bruksel.

Sponzor

Ai ka shtuar se Beogradi nuk do të vazhdojë dialogun me Prishtinën, derisa kjo e fundit ta tërheqë atë që ai e ka quajtur vendim “të paligjshëm”, dhe të cilin e ka cilësuar të motivuar politikisht dhe në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e arritura.

“Luftërat tregtare, të nisura nga Prishtina, ekzistojnë vetëm në kokat e sëmura, të cilat mendojnë se mund të bëjnë diçka, dhe të dëmtojnë popullin serb dhe atë shqiptar. Askush s’mund ta ndalojë rrjedhën e mallrave dhe të kapitalit”, është shprehur ai.

Gjuriq ka thënë se Serbia do t’i mbrojë interesat e serbëve, duke theksuar se lufta tregtare ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës përbën një pengesë të drejtpërdrejtë në përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve.

Ai ka shtuar se gjatë tërë ditës ka biseduar për këtë çështje me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministren e vendit, Ana Bërnabiq, dhe me ministrin e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Rasim Ljajiq.

-Sponzor-