Gjithçka gati! Ja çka do të ndodh nesër në Kosovë

0

Fehmi Mehmeti, anëtar i Këshillit Organizativ për Shënimin e ditës së Çlirimit ka folur rreth agjendës së nesërme me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Ai ka thënë se kjo nismë është ndërmarrë nga presidenti Hashim Thaçi, që ka marrë mbështetjen e ish-presidentëve të Kosovës.

Sponzor

Mehmeti ka konfirmuar se gjatë ditës së nesërme personalitete të rëndësishme botërore do të jenë pjesë e këtij përvjetori të rëndësishëm për shtetin e Kosovës.

“Është sukses i jashtëzakonshëm sepse këtu do të jenë Bill Clinton, Wesley Clark, Madeleine Albright e personalitete të tjera të larta që do të jenë pjesë e ceremonisë, përfshirë këtu ata të BE-së, të Gjermanisë e Britanisë së Madhe”, është shprehur Mehmeti.

Tutje ai ka shtuar se sipas protokollit sot janë pritur në Prishtinë ish-presidenti amerikan, Bill Clinton e ish-Sekretarja e Shtetetit, Madeleine Albright.

Tubimi kryesor do të nisë në ora 11:00 dhe do të mbahet deri më 12:30.

“Sipas agjendës shtetërore tubimi kryesor do të mbahet nesër në ora 11:00. Tubimi do të mbahet në sheshin Skënderbeu së bashku me të gjithë qytetarët. U bëjë thirrje qytetarëve që të jenë aty për të nderuar këto personalitete shtetërore. Përveç tubimit qendror janë paraparë edhe disa aktivitete të tjera, përfshirë këtu edhe ‘Ecjen e Lirisë’ në sheshin Nënë Tereza, kurse më pas do të bëhet edhe përurimi i bustit të Albrightit në afërsi të New Bornit”, është shprehur Mehmeti në KTV.

Mehmeti ka konfirmuar se në Bulevardin Bill Clinton do të mbillet 50 drunj në nder të shteteve të Amerikës.

“Prej pjesës së bustit të Albrightit do të shkohet të bulevardi i Bill Clintonit, me ç’rast ish-presidenti amerikan do të mbajë një fjalim të shkurtër”, ka thënë ai.

Kurse nga ora 17:00 ai ka thënë se do të mbahet Konferenca Ndërkombëtare e Sigurisë, ku një fjalë rasti do ta ketë Clarku dhe me këtë rast do të prezantohen dy videomesazhe nga Bill Clintoni e Tony Blair.

Tutje Mehmeti ka shtuar se sonte Filarmonia e Kosovës do të mbajë koncert në Katedralen Nënë Tereza, nga ora 20:00.

Mehmeti ka shtuar se ka një interesim të jashtëzakonshëm për këtë ngjarje.

“Kemi mbi 200 media ndërkombëtare që kanë kërkuar akreditim. Ky është një rast i mirë që bota të kthejë reflektorët nga Kosova. Kjo paraqet një mesazh shumë pozitiv të Kosovës, dhe tregon se bota nuk e ka harruar Kosovën dhe është aty për gjërat pozitive të saj”, u shpreh ai.

-Sponzor-