Detajet e fundit nga rasti i Haxhi Ahmetit në Gjakovë, kjo po thuhet të jetë arsyeja

0

Ende asnjë i dyshuar nuk është vënë nën llupën e Prokurorisë e Policisë së Gjakovës për vrasjen e Haxhi Ahmetit, e cila ndodhi mëngjesin e së dielës me eksploziv në derën e shtëpisë së tij. Mësohet se vrasja mund të ketë qenë e paguar, ndërkohë që e njëjta ka ndodhur për fajde. Gazeta Express, ju sjell rrëfimin e familjes nga fshati Smolicë e Gjakovës rreth vrasjes së të ndjerit

Mbetje të eksplozivit ende shihen në pragun e shtëpisë së Haxhi Ahmetit në fshatin Smolicë të Gjakovës. Aty pasditen e së martës hynin e dilnin njerëz, të cilët priteshin nga disa persona, familjarë të të ndjerit për të shprehur ngushëllime pas vdekjes tragjike të 61- vjeçarit.

Sponzor

Familjarët ende nuk po e dinë se si ndodhi e gjithë ngjarja. Haxhiu kishte pak kohë që nga Gjermania ishte kthyer për disa ditë pushimi në Kosovë. Por, pushimi për të njëjtin përfundoi të dielën pas një shpërthimi me eksploziv, i cili iu montua në derën e shtëpisë.
Express, gjatë së martës ka qëndruar në familjen e të ndjerit. Asnjëri nga familjarët e pyetur për motivet e këtij rasti nuk e di se çfarë ka ndodhur.

Ata deklarojnë se i ndjeri së fundmi nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim për ndonjë problem me ndonjë person.

“Ne e kemi hap të pamën për kushëririn tonë. Hiç asgjë nuk dimë se çka ka ndodhë. Problemet që ai i ka pasë kanë mbetur në të kaluarën. Ditëve të fundit sa ka qenë ai këtu nuk ka shfaqur ndonjë brengë”, deklarojnë për gazetën disa familjarë të së ndierit.

Të njëjtit thonë se ende nuk janë intervistuar nga asnjë zyrtarë policor rreth kësaj pune, ani se ngjarja ka ndodhur të dielën.

E Gazeta Express, nga burime të saja brenda organeve të hetuesisë merr vesh, se Prokuroria ka dyshime se i ndjeri mund të jetë vrarë për fajde. Burimet tregojnë se ai (Haxhi Ahmeti) u kishte shumë borxhe disa personave, andaj prokuroria nuk e hedh poshtë mundësinë se vrasja ndaj së njëjtit mund të jetë e porositur.

Por, organet e hetuesisë së shtetit, po ashtu këtë vrasje po e lidhin edhe me konfliktin e mëhershëm që i ndjeri e kishte pasur me vëllain e tij, ku ky i fundit pas një zënke ia kishte vrarë djalin Haxhiut.

Historia e konfliktit në mes të dy familjeve të së njëjtit gjak nuk ka përfunduar në 2013’tën. Disa vite pas, për vëllain e vrarë, djali tjetër i Haxhiut të ndjerë, tenton të marrë hak tek kushëriri i tij i cili ishte i moshës së mitur. Por, ai arrestohet nga Policia e Kosovës për veprën penale ‘Tentim Vrasje’.

I njejti është duke e vuajtur dënimin prej 2 vite e gjysmë burgim.

Megjithëkëtë, rreth kësaj çështjeje, hetime është duke vazhduar, divizioni i krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore të Gjakovës. Prokurori i rastit, deklaroi të martën për Express, se ende nuk ka asnjë të re për këtë punë. Tha se ëpresin ekzaminimet e kamerave si dhe mbetjet e eksplozivit të shpërthyer nga i cili u vra Haxhiu, 61-vjeçar.

“Ne ende jemi duke i vazhdar hetimet. Nuk i kemi intervistuar ende dëshmitarët. I ndjeri u varros dje. Andaj ne tashmë e kemi dhënë urdhrin për intervistim të familjarëve e personave të tjerë”, ka deklaruar për Gazetën prokurori i rastit.

Por tutje ai tha se zbardhja komplete e këtij rasti mund të marrë kohë. Ai tha se rol për këtë punë do të kenë edhe analizat e grimcave të eksplovizivit të cilat u gjetën në trupin e Haxhi Ahmetit.

Por, ato analiza ka mundësi që të kryhen jashtë Kosovës. Kjo pasi që në vend nuk ka laboratorë të sofistikuar për këtë punë.

“Presim kamerat edhe analizat rreth eksplozivit. Ato ka mundësi që t’i kryejmë jashtë Kosovës”, deklaroi prokurori i rastit.

Kujtojmë se 61 vjeçari Haxhi Ahmeti, u vra të dielën në mënyrë të sofistikuar në shtëpinë e tij në Smolicë të Gjakovës.  Eksplozivi që i u vendos te kasaforta e postës  tek dyert e oborrit dyshohet të jetë komanduar nga një distancë e madhe. Hetuesia e Gjakovës asnjëherë nuk është përballë me një rast të tillë, madje një vrasje e këtij lloji vështirë se ka ndodhur edhe në shkallë vendi.

-Sponzor-