Debati për ndarjen e Kosovës, Kadri Veseli godet LDK-në

0

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, që është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, është prononcuar më në fund rreth deklaratave të Presidentit Hashim Thaçi për çështjen e korrigjimit të kufijve. Në një tekst autorial, Veseli me kujdes të madh i është përgjigjur Thaçit, duke thënë se “Kosova do të hyjë në OKB, NATO dhe BE me kufijtë e saj të pavarësisë”, por nuk është kursyer ndaj LDK-së, duke e fajësuar për krejt atë që po ndodh ditëve të fundit.

Veseli në asnjë moment nuk ka përmendur ish-liderin e PDK-së, Hashim Thaçin, e po ashtu as këmbimin e territoreve me Serbinë, duke e bërë të qartë vetëm në fund të shkrimit autorial se Kosova nuk duhet të ndryshojë kufijtë e saj.

Sponzor

“Kosova do të hyjë në OKB, NATO dhe BE me kufijtë e saj të pavarësisë”, ka shkruar Veseli.

Analistët vlerësojnë se ideja e Thaçit nënkupton edhe ndarjen e Kosovës, pasi në bazë të saj që po përmend ai, i bie që Kosova duhet të japë tokë për ta marrë Luginën e Preshevës.

Veseli ka thënë se ndarja e Kosovës është një pretendim i moçëm i Serbisë.

“Ndarja e Kosovës është një nga pretendimet e vjetra të Serbisë, të cilat kanë marrë fund një herë e përgjithmonë në vitin 1999”, ka shkruar Veseli.

Por, derisa është kujdesur për të mos lënduar raportet me Thaçin, Veseli është treguar i pamëshirshëm ndaj LDK-së, duke e fajësuar për krejt atë që po ndodh në skenën politike ditëve të fundit për çështjen e bisedimeve me Serbinë.

“Por, le të ndalemi e të rikujtojmë të gjithë se si nisi e tërë kjo. Kur propozuam tryezë partish, me qëllimin që në mënyrë demokratike t’i bisedojmë të gjitha çështjet serioze të dialogut dhe jo vetëm, e pastaj, përmes konsensusit dhe në mënyrë institucionale e të argumentuar, t’u japim zgjidhjen më të mirë këtyre çështjeve – kjo iniciativë nuk u përmbush, shkaku i mosbashkëpunimit partiak, i motivuar krejtësisht nga agjendat e ngushta partiake, e aspak shtetërore”, shkruan Veseli.

Ai më pas ka përmendur edhe debatin që është bërë në Kuvendin e Kosovës javën që shkoi, por që përfundoi pa konsensus.

Veseli kritikon partitë opozitare duke thënë se ato janë kapluar nga sindromi i bajraktarizmit.

“Partitë politike opozitare në Kuvend nuk pranuan të jenë pjesë e përgjegjësisë shtetërore, pjesë e dialogut, i cili adreson interesat e shtetit, e jo të partive politike. Fatkeqësisht, sindromi i vjetër i bajraktarizmit primitiv po shfaq shenjat e tij në krejt këtë situatë”, vazhdon Veseli.

E goditjen më të madhe e rezervon për Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila, sipas tij, ka ndikuar që në Kosovë të shpërthejë ky debat.

“Sigurisht që përgjegjësinë kryesore për këtë e bart LDK-ja, e cila, në njërën anë, poshtë e lart, vetëpromovohet si parti institucionaliste, derisa, në anën tjetër, praktikisht vepron kundër frymës institucionale. Respektimi i kësaj fryme sot, më shumë se kurrë në këto dhjetë vite, është domosdoshmëri dhe obligim i të gjithë përfaqësuesve politikë në vend”, ka shkruar kreu i PDK-së.

-Sponzor-