Çka është Kongresi dhe Senati amerikan dhe kush i kontrollon? Çka vendosin ato?

0

Megjithëse Tramp po i çon drejt humbjes së Presidencës, republikanët pritet të ruajnë Dhomën. Beteja më e ashpër do të bëhet për kontroll të Senatit

Struktura e Kongresit. Pushteti legjislativ amerikan me kushtetutë i takon Kongresit. Në nivel federal Kongresi është i vetmi që mund të sjellë ligje, miratojë buxhete dhe t’i shpallë luftë një shteti tjetër. Kongresi voton anëtarët e kabinetit të Presidentit, voton gjykatësit e Gjykatës Supreme, ambasadorët dhe një sërë funksionarësh të tjerë të lartë amerikan. Në letër ai pra ka fuqi të jashtëzakonshme dhe është menduar të qëndrojë si kundërpeshë ndaj Presidentit.

Sponzor

Kongresi amerikan përbëhet nga dy dhoma: Senati dhe Shtëpia (apo Dhoma) e Përfaqësuesve. Dhoma e Lartë, apo Senati, është menduar si trup i anëtarëve më të pjekur dhe më prestigjioz dhe si dhomë ku përfaqësohen njësoj të gjitha shtetet. Dhoma e Ulët është për politikan më të ri dhe shpreh më direkt vullnetin e popullit. Secili shtet aty është përfaqësuar sipas numrit të banorëve që ka.

Për të sjellë një ligj atë duhet t’a votojnë me tekst të njëjtë, pikë për pike, të dy Dhomat. Dy dhomat funksionojnë në mënyrë të pavarur nga njëra tjetra, por në raste të veçanta mbajnë mbledhje të përbashkët. Vetëm në atë rast, të dyja bashkarisht, njihen si Kongres.

Senati. Senati përbëhet nga 100 senatorë. Çdo shtet i SHBA-ve ka nga dy senatorë: të Vjetrin dhe të Riun. Me këtë në Senat të gjitha shtetet përfaqësohen njëlloj, si Uajoming që ka 500.000 banorë ashtu dhe Kalifornia me 38 milionë banorë. Senati pra siguron që shtetet e mëdha nuk mund t’i dominojnë shtetet e vogla dhe të sjellin ligje në dëm të tyre.

Mandati i një senatori është 6-vjeçar. Mirëpo jo të gjithë senatorët zgjidhen në të njëjtën kohë. Nga senatorët e tanishëm 34 dalin në zgjedhje sivjet, 33 në 2018 dhe 33 në 2020. Kjo do të thotë se në çdo moment në Senat janë të paktën 66 senatorë që nuk kanë hallet e zgjedhjeve dhe Senati funksionon pa ndërprerje edhe në vite zgjedhjesh. Mosha mesatare e senatorëve është 61 vjeç.

Senatin momentalisht e kontrollojnë republikanët. Ata kanë 54 senatorë, demokratët kanë 44, ndërsa 2 senatorë janë të pavarur. Të pavarurit Berni Sanders dhe Angus King zakonisht kaukusojnë me demokratët, kështuqë në praktikë përbërja është 54-46.

Beteja për Senat 2016. Poaq e rëndësishme sa presidenca për partitë është kontrolli i Senatit, sepse pa të presidenti do t’a ketë të vështirë të implementojë programet e veta. Në betejën për senat këtë vit avantazhin e kanë demokratët. Nga 34 vendet të cilat kontestohen, 24 hë për hë i mbajnë republikanët, ndërsa vetëm 10 demokratët.

Sipas sajtit RCP anketat tregojnë se demokratët pritet të kenë 47 vende të sigurta, ndërsa republikanët 44. 9 vende janë akoma në garë. Por prej tyre në 4 prej tyre favorizohen republikanët, me emra të tillë si Mekejn e Marko Rubio. Në një shtet favorizohen demokratët. Me këto parashikim rezultati i tanishëm është 48-48.

Pra fituesin e Senatit pritet t’a përcaktojnë 4 shtete tjera ku anketat tregojnë garë tejet të ngushtë. Nevada, Nju Hempshër, Karolina e Veriut dhe Pensilvania në fund do të tregojnë se kush do të kontrollojë Senatin amerikan në vitin 2016. Për republikanët do të ishte mirë që të fitojnë tre nga këto shtete, sepse në rast barazimi 50-50 votën decisive e ka kryetari i Senatit, i cili me kushtetutë është nën-presidenti i SHBA-ve. Nëse presidencën e fiton Klintoni, ashtu siç pritet, votën decisive e ka nënkryetari i saj Tim Kejn.

Dhoma. Kur në publik përmendet fjala Kongres zakonisht mendohet dhoma e ulët e saj – Shtëpia e Përfaqësuesve. Dhoma është përfaqësuesi më direkt i popullit në procesin legjislativ. Ajo përbëhet nga 435 anëtarë – kongresmenë, ku secili shtet përfaqësohet sipas popullsisë që ka. Në Dhomë përfaqësohen edhe territoret e SHBA-ve dhe kryeqyteti Uashington, por këta delegatë nuk kanë të drejtë vote.

Ndryshe nga senatorët kongresmenët zgjidhen me mandat 2-vjeçar. Qëllimi i këtij mandati kaq të shkurtë është që kongresmenët të jenë non-stop nën presionin për t’u rizgjedhur, e me këtë detyrohen të jenë më afër votuesve të vet. Kongresmenët zakonisht janë më të rinj dhe në fakt posti i kongresmenit shpesh është një hap paraprak drejt Senatit. Mosha mesatare e kongresmenëve është 57 vjeç.

Dhomën momentalisht e kontrollojnë republikanët. Ata kanë 247 kongresmenë, demokratët 186, ndërsa dy vende janë të zbrazura dhe duhet të mbushen në zgjedhjet e sivjetshme.

Beteja për Dhomën. Pas një pauze disa-dekadëshe republikanët kanë rimarrë Dhomën në vitin 1994 dhe e kanë mbajtur gjatë gjithë kohës me përjashtim të periudhës 2006-2010. Ashtu pritet të jetë edhe këtë vit. Megjithë përparësinë që kanë në garën për presidencë dhe gjasat e mira për të rimarrë Senatin, demokratëve përsëri nuk ju shkruhet mirë në garën për kontroll të Dhomës. Sipas RCP republikanët pritet të kenë 226 fitore të sigurta me çka automatikisht kanë siguruar shumicën. Demokratët pritet të fitojnë në 187 vende, ndërsa 22 janë të kontestueshme.

Piktura e madhe 2016. Gjykuar nga gjendja momentale e garave presidentja e ardhshme e SHBA-ve do të jetë Hillari Klinton. Por ndryshe nga shumica e kryetarëve të mëparshëm ajo nuk do të ketë fare periudhë muaji mjalti. Është mëse e sigurtë se republikanët do të mbajnë Dhomën, ndërsa nuk dihet se kush mund të fitojë Senatin. Sido që të jetë për republikanët Dhoma është e mjaftueshme për të bllokuar agjendën e Klintonit, siç bënë nga viti 2010 për të bllokuar Obamën.

-Sponzor-