Berisha: Ja e vërteta për vrasjen Sali Çekajt

0

Hisen Berisha është një prej bashkëluftëtarëve të Betejës së Koshares, një prej komandantëve të kësaj Beteje të lavdishme. Hisen Berisha ishte pjesë e planifikimit dhe e zbatimit të operacioneve të Betejës së Koshares, bashkë me Agim Ramadanin, Rrustem Berishën, Anton Qunin…Sali Çekajn, shkruan Botapress.

Në një rrëfim të tij, Hisen Berisha sjell momente të rënda të rënies së Agim Ramadanit dhe të Sali Çekajt.

Sponzor

Të nderuar bashkëluftëtarë veteranë të Luftës së Koshares.

Do ua rrëfej një emocion që po ndjej sot me dt: 18 Prill, e që ndërlidhet me vitin 1999.

Me 11 Prill 1999, në mëngjesin e hershëm u ndamë, sipas detyrave luftarake, me tashmë Dëshmorin e Lirisë Agim Ramadanin. Këtë ndarje e përcolli rreshtimi i trupave dhe komandimi shqip në kazermat e ish YU army, tani në duart e UÇK. Si dhe nga tanimë dëshmori Besnik Jasiqi dhe Oficeri i FSK Blerim Cufaj, u ngrit dhe flamuri kombëtar në një territor të lirë e që nuk ra në duart e armikut kurrë më.

U ndamë në atë ditë të kobshme. Provova të komunikoja kohë pas kohe me Heroin Agim Ramadani në baza ditore, për nevoja të operacionit “Katana për 327- lajmërohu”…. Por, ishte e kotë. Me dt. 17 Prill, Komandanti Rrustem Berisha, duke e ditur se unë nuk isha në dijeni të rënies së Katanës, më thotë të shkojë në “tresh” (Komanda e Operacionit)

Pas mesnate bie ritmi luftimeve dhe shkova në tresh. I gjeta tanimë Dëshmorin e lirisë Sali Çeku dhe Jokerin- Rrustem Berishen ulur në një anë të oxhakut dhe Antoni ulur në anën tjetër.

Ishin me sy të skuqur nga mundimi të ma komunikonin lajmin e kobshëm. Me zë të ndrydhur ma tha disi Antoni. Dicka që e kisha si ndjenjë por s’doja t’ia besoja askujt. Në këto qaste plasëse, nëpër kokë më kalonin pa ndalë fjalet e Katanës…327 kujdes se kur të vritet ndonjëri nga djemtë’ që i ke përgatitë gjatë për lufte dhe je i lidhur shumë me ta, rrezikon ta humbësh kontrollën dhe sensin për të drejtuar luftimet. Për ironi të fatit me 9 Prill ranë dëshmorët e parë të luftës për heqjen me luftë të kufirit famëkeq, Rifat Qela, Abush Loku, Bashkim Jasiqi, Ramiz Krasniqi dhe u plagos rëndë Bujar Maloku. Nga intensiteti i luftimeve të asaj dite, peripecive për tërheqjen e të rënëve dhe të plagosurit, nuk arrija ta qarkulloja në mendje tërë porosinë e Katanës, veç fjalët …kujdes 327…kujdes 327…. Edhe tani e përmbajta veten me porosinë e njëjtë të strategut me të cilin na lidhte çdo gjë që nga motivi se: ja vlenë të vdiset vetëm edhe për fjalën Kosovë – Katana…partia jonë është UÇK, e politika jonë është lufta për çlirimin e Kosoves-327…na lidhte dhe jeta e vdekja për vlerat e Lirisë. Dola! Me këmbë u ktheva në vijën e frontit. Kjo nënkuptonte se në drejtimin operativ 777 tani komandonte “Veterani” ndërsa nga drejtimi operativ 333, një distancë e konsiderueshme në terren komandoja unë me bashkëluftëtarë të Batalionit të parë, meqë komandant Noti-Skender Hasangjekaj veç ishte plagosur rëndë me dt. 16 Prill, dhe njësia e Batalionit të tretë që operonte në të njëjtin drejtim.

Luftime pati tërë ditën siç zakonisht… koordinuam me Heroin Sali Çeku përmes komunikimit në radio. Në orët e pasdites diku pas orës 16:00 në thirrjen time operative…VETERANI për 327…nga radiomarrësi i Veteranit, nuk pati kthim të komunikimit. Edhe kënga “besa-besë” që për një kohë luftimesh i sfidonte krismat e armëve u ndal. Por, jo dhe betimi se …”aty ku ka ra gjaku i dëshmorëve s’do shkelë kurrë këmba armikut”.

Nuk pati nevojë të më thotë …eja në “tresh”.

Diku pas mesnate kur kishte rënë intensiteti i luftimeve…shkova në komandë. Në njërën anë të oxhakut mungonte Sali Çeku, ishte veç Jokeri. Ne anën tjetër ishte Antoni. Nuk pati nevojë të ma thonin se ishte shembur toka. Se kishte rënë në altarin e Lirisë Veterani i çështjes kombëtare, Veterani i koordinimit të përgatitjes së luftëtarëve të UÇK dhe vet luftës çlirimtare, Veteranit të platformës politike – ushtarake për luftë çlirimtare nga njëra anë e Kosovës në anën tjetër me lirinë, Veteranit që bëri histori dhe na e la si model për t’iu referuar sa herë të hasim në vështirësi në rrugën e shtet ndërtimit mbi vlerat e lirisë, barazisë dhe demokracisë.

Peshën e dhimbjes e vërejta ne gjendjen e tyre morale e shpirtërore. Ajo më përfshiu dhe mua dhe të gjithë veteranët e kësaj lufte.

Prandaj, te dashur shqiptarë ngado që jeni! Bashkëluftëtarë e bashkëveprimtarë te “HEROIT TË KOSOVES” Sali Çeku, ju ftoj që të jemi prezent në nderim të emrit dhe veprës të dëshmorit të lirisë Sali Ceku – “VETERANI” dhe të gjithë të rënëve në Luftën e Koshares, në Ditën e Veteranëve.

Nderim dhe Lavdi përherë.

-Sponzor-