Babai i Milot Rashicës: A e dini që nuk e la djalin me luajt për Kosovën ?

0

Federata e Futbollit të Kosovës vazhdon të bëjë lëshime të shumta në ndeshjet e Kombëtares

Kosova brenda katër ditëve zhvilloi dy ndeshje në stadiumin Fadil Vokrri, fillimisht miqësoren ndaj Danimarkës[2-2] dhe më pas ndeshjen kualifikuese për EURO 2020 ndaj Bullgarisë[1-1]

Sponzor

Gjatë ndeshjes me Danimarkën njëri nga lëshimet ishte tek biletat, ku në disa prej tyre shkruante se ndeshja do të fillonte në ora 18:00, derisa realisht ky takim do të luhej nga ora 19:00.

FFK u arsyetua për këtë lëshim duke ia lënë fajin UEFA-s.

“Kjo ndeshje fillimisht ishte paraparë të luhej nga ora 18:00, por për shkaqe teknike me vendim të UEFA-s termini i ndeshjes është zhvendosur në orën 19:00”, ka thënë FFK përmes një komunikate për media.

Edhe për ndeshjen me Bullgarinë ndodhi një gabim që si gjithnjë nga FFK mund të arsyetohet si ‘një lëshim i paqellimshëm ose një gabim teknik’.

Gazetarët me të marrë akreditimet e ndeshjes e kanë vërejtur se data e ndeshjes është gabuar sërish.

Kalendari duket se i ka mashtruar të gjithë, pasi që ndeshja do zhvillohej më datën 25 mars dhe jo 24 siç shkruante në akreditimet e mediave.

Kjo nuk është e tëra sa i përket rregullit që u mbajt te pjesa ku qëndrojnë gazetarët.

Dy përgjegjëse për të mbajtur rendin, ishin vajza dhe njëra nga to vazhdimisht ‘kërcënonte’ disa gazetarë se do t’i largonte jashtë stadiumit nëse ata do të bënin foto.

Shumica e gazetarëve thyen rregullin duke bërë foto, por ajo nuk mori vendim për ta larguar ndokënd, pasi sytë e saj qëndronin vetëm në njërën kabinë ose siç i thonë ata Box.

Ajo paralajmëroi gazetarët e tre mediumeve të ndryshme duke thënë se gjatë gjithë kohës do t’i mbante sytë tek ata, madje në një moment ajo ngriti zërin dhe me anë të radiolidhjes që mbante në duar tregoi se ka tërhequr vërejtjen e parë dhe lëshimi i radhës do të thoshte përjashtim nga stadiumi.

Tjetra vajzë që kishte një rol të rëndësishëm nuk mërzitej shumë se çfarë ndodhte në pjesën ku qëndronin gazetarët pasi ajo preferonte që më shumë të shikonte telefonin e saj.

Ndërsa, nga këto dy ndeshjet, gabimet më të mëdha dhe erdhën nga pjestarët e sigurimit.

Ata u sollën keq me gazetarët, tifozët dhe madje ndaluan babain e Milot Rashicës dhe Aro Muricit që të hynin në stadium për ta përcjellur stërvitjen e Kosovës.

Babai i Aro Muricit nuk dinte të fliste shqip, derisa kërkonte të hynte në stadium për ta parë të birin duke stërvitur. Sigurimi fillimisht nuk e lejoi duke i thënë ‘Fol shqip se ndryshe s’ki me hy këtu’.

Fatmirësisht aty qëlloi edhe babai i Milot Rashicës, Nexhmedini, i cili poashtu ishte i frustruar me sigurimin pasi nuk dëshironin ta lejonin që të hynte në stadium.

Ai madje në një moment kishte humbur nervat dhe i kishte thënë atyre: ‘A jeni normal ju, a e dini se nuk ia lë djalin[Milotin] me lujtë’, raporton Periskopi.

Edhe pse nuk u trajtuan si duhet edhe babai i Rashicës edhe i Muricit arritën që të hynë në stadium për t’i përcjellur djemtë e tyre në stërvitje

Nexhmedin Rashica nuk ishte aspak i kënaqur me mënyrën se si u soll sigurimi ndaj tij dhe babait të yllit të Manchester Cityt, Aro Muricit.

Ai tregonte dallimin e madh kur e viziton të birin në stadium të Werderit, tregoi për respektin që tregojnë gjermanët për të kur e dinë se ai ka ardhur për ta përcjellur Milotin, derisa në Kosovë është i zhgënjyer me atë se çfarë i ndodhi në njërën nga stërvitjet e Kosovës para ndeshjes me Danimarkën.

Gjithashtu duhet kujtuar se FFK-ja do të gjobitet nga UEFA shkaku i sigurimit të dobët, pasi dy tifozë arritën pa ndonjë problem që të futeshin në fushë në ndeshjen kundër Danimarkës. /Periskopi

-Sponzor-