Ademi i përgjigjet Hysenit për deklaratën se Kurti ia mohoi kandidimin për kryetar në Mitrovicë

0

Përçarjet brenda Lëvizjes Vetëvendosje, po vazhdojnë të thellohen më shumë.

Mbrëmë në Interaktiv të KTV-së, ka qenë i ftuar ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Zgjim Hyseni, i cili adresoi kritika të shumta ndaj kryetarit të zgjedhur Albin Kurti.

Sponzor

Hyseni ndër të tjera tha se është hipokrizi nga njerëzit e Kurtit të thonë se është e padrejtë t’i mohohet atij të kandidohet për kryetar, pasi sipas tij, është vetë Albin Kurti ai që ua ka mohuar të tjerëve kandidimin për kryetar të degëve.

Ka përmendur Fidan Ademin, për të cilin tha se Kurti ia ka mohuar të drejtën të kandidojë për kryetar të degës në Mitrovicë.

“Nëse flasim për parimin, atëherë parimi nuk njeh emra të përveçëm qoftë ai edhe Albin Kurti. Edhe vetë z. Kurti u ka thënë njerëzve se nuk është mirë që të kandidojnë për kryetar të degëve. I ka thënë Fidan Ademit të mos kandidojë për kryetar të degës në Mitrovicë, se nuk je njeriu më i mirë, më i duhuri etj etj. Nuk është diçka e re dhe së s’ka ndodhur. Ata që thoshin se është e padrejtë t’i mohohet z. Kurti kandidimi e dinë shumë mirë se si ka funksionuar Lëvizja, prandaj kjo është hipokrizi”, ka thënë Hyseni.

Koha.net ka kontaktuar Fidan Ademin, për të mësuar nëse kjo ka qenë e vërtetë, e sipas tij, ai e ka shqyrtuar mundësinë e kandidimit për kryetar të degës në Mitrovicë, por me të konsultuar me Kurtin, ai është zgjedhur sekretar organizativ.

“Në zgjedhjet e fundit të brendshme e kam shqyrtuar mundësinë e kandidimit për kryetar qendre, pas kërkesës së shumë aktivistëve. Në takim me z. Albin Kurti, gjatë konsultimeve me të, më ka sugjeruar që të bëhem sekretar organizativ. Siç është shprehur atë kohë: ‘Për kryetar qendre i kemi disa opcione, por për sekretar organizativ në Mitrovicë nuk kemi tjetër përveç teje’ “, ka thënë Ademi.

Ai shtoi se konsultimet e brendshme në VV janë të domosdoshme për funksionimin e një organizate dhe se për gjithçka është konsultuar me Kurtin, Molliqajn dhe Ymerin.

“Sigurisht vendimi për moskandidim ka qenë i imi dhe të drejtën për këtë e kam pas ashtu si çdo aktivist tjetër. Për çdo veprim politik jam konsultu çdo herë me Albinin, Dardanin, Visarin e të tjerë!Unë jam sekretar organizativ i qendrës në Mitrovicë, delegat i këshillit të përgjithshëm, ish drejtor i DKRS-së, kandidat për deputet në 2017 dhe njëri ndër asambleistët më të votuar në Mitrovicë (më i votuari nga Lëvizja).”, ka thënë ai për Koha.net.

Ai më pas ka thënë se në Vetëvendosje nuk bëhen gara për pozicione, por punë e sakrifica.

“Brenda Vetëvendosje bëjmë gara kush po bënë më shumë sakrificë, e asesi kush po lufton për pozicione. Qendra e LVV-së në Mitrovicë është ndër qendrat më të organizuarat në Kosovë. Kemi mbajt 8 mbledhje të këshillit të qendrës, 16 mbledhje me kryetar të pikave, çdo javë mbledhjen e kryesisë, e qindra takime të vogla nëpër çdo lagje e fshat. Deri në 15 autobusa me aktivista kemi dërguar nëpër protesta kundër “Zajednicës” e demarkacionit. Fitore në zgjedhjet e qershorit, dyfishim i asambleistëve në zgjedhjet e tetorit”, ka përfunduar Ademi.

-Sponzor-