Abdullah Zeneli, kërcënon anëtarët e këshillit të librit

0

Shkruan Berat Dakaj

Ditë më parë drejtori i shtëpisë botuese “Buzuku”, Abdullah Zeneli, kërcënoi publikisht, në llogarinë e vet në “Facebook”, me humbje të votës nga anëtarët e familjes së ngushtë dhe të gjerë, drejtorin e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugovën dhe kryetarin e komunës, Shpend Ahmetin, duke u ankuar në ta se kanë ndarë pak para për organizimin e Panairit të Librit se, nëse nuk e rishikojnë edhe një herë kërkesën e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, familja e tij më nuk do të angazhohet në fushatë zgjedhore për Lëvizjen Vetëvendosje dhe nuk do ta votojë sikurse, sipas tij, në zgjedhjet e fundit i paska dhënë 100 e kusur vota për të. Pas këtij kërcënimi publik, për t’i ruajtur këto vota të familjes Buzuku, kanë reaguar Yll Rugova dhe kryetari Ahmeti, të cilët kanë premtuar përkrahje shtesë për Shoqatën e Botuesve të Kosovës për organizim të Panairit të Librit.

Po kush është Abdullah Zeneli dhe çfarë detyre ka ai në Shoqatën e Botuesve të Kosovës? Nga kush është autorizuar që, në emër të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ta kërcënojë drejtorin e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugovën dhe kryetarin Ahmeti? A e ka autorizuar për këtë kërcënim, në emër të botuesve të Kosovës, kryetari i Shoqatës së Botuesve, Daut Demaku, apo djali i tij, Besian Zeneli? A e kanë raportuar këtë rast në polici? Pse Abdullah Zeneli, që nuk ka kurrfarë detyre në Shoqatën e Botuesve, u kërkon para institucioneve në emër të Shoqatës së Botuesve, organizon Panairin e Librit, hap panairin, jep çmimet e Panairit të Librit në natën e parafundit të mbylljes së panairit? Në emër të kujt e bën këtë? Pse nuk reagojnë ndaj Abdullah Zenelit, kryetari i Shoqatës së Botuesve, Daut Demaku dhe nënkryetari i kësaj shoqate, Besian Zeneli, i cili është i biri i Abdullahut dhe të njëjtët lejojnë që Shoqata e Botuesve të keqpërdoret nga një botues aspak serioz, i cili, sipas një raporti të MKRS-së, e shkel Ligjin për Bibliotekat, me mosdërgimin e ekzemplarëve të detyrueshëm në Bibliotekën Kombëtare të KOSOVËS.

Ka mjaftueshëm lëndë që gjykata ta nisë procedurën hetimore ndaj tij, për përfitime personale në emër të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, po ashtu edhe për kërcënimet e njëpasnjëshme, nëpërmjet mesazheve në celularë, bërë këtë muaj tre-katër anëtarëve të Këshillit të Librit.